Bilanci tragjik i numrit të viktimave nga aksidentet rrugorë ku gjatë vitit që lamë pas humbën jetën 225 qytetarë ka bërë që ky fenomen të jetë një nga prioritetet e policisë gjatë vitit 2020.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi këtë të shtunë një analizë me 12 Drejtoritë Vendore të Policisë, ndërsa tha se aksidentet rrugore vrasin 5 herë më shumë se krimi i organizuar.
“Siguria rrugore na vret më shumë njerëz se sa krimi i organizuar. Jo më shumë, por pesë herë më shumë. Do të ndryshojmë Kodin Rrugor, do ashpërojmë masat, do ashpërsojmë kontrollet, do modernizojmë kontrollet, do luftojmë fort për integritetin e punonjësve, pra do të punojmë në të gjitha dhe do të punojmë shumë për edukimin”-tha ai.
Prioritet tjetër për këtë vit do jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe do të miratohet ligji “anti-KÇK”.
“Personat që janë dënuar për veprimtari në fushën në krimit të organizuar, krimet e rënda, korrupsionit, që janë hetuar apo që janë proceduar për këto vepra, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, Policia e ka detyrën t’i shkojë, t’i trokasë në derë dhe t’i thotë: – ti ke bërë 10 vjet (burg) për trafik droge? Po. Ke dhe këtë hotelin këtu. Tani, hoteli sekuestrohet, i vihet shiriti dhe ti shkon në gjykatë dhe provoje që është i yti.”-, theksoi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Në 2020 do të ngrihen 4 njësi të posaçme policore që do të luftojnë fenomene të ndryshme kriminale.