English

Shkëlqimi dhe rënia e regjimit komunist në Rumani

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rumania është një ndër vendet e Europës lindore që ka vuajtur nga regjimi komunist. Diktatori Nikolae Çaushesku qeverisi vendin me dorë të hekurt për disa dekada, derisa u rrëzua nga pushteti në fund të viteve ’80. Por si u arrit në rrëzimin e një pushteti të pamëshirshëm dhe si e përjetoi Rumania ndërrimin e regjimit.

- Advertisement -

Fundi i një epoke

Nga fundi i viteve ‘80, lideri komunist i Rumanisë, Nikolae Çaushesku, në detyrë që prej vitit 1965, ndihej i sigurt në pushtet dhe kishte plane të mëdha për rindërtimin e Bukureshtit, pavarësisht se vendi kishte hyrë në borxhe të thella. Çaushesku planifikoi të shlyente borxhin sa më shpejt të ishte e mundur duke nxitur eksportet dhe ndaluar importet, por rumunët e zakonshëm ishin ata që paguan çmimin, duke vuajtur mungesën e ushqimit, ndërprerjen e energjisë dhe ngrohjen minimale.

Raportimet e masakrave në qytetin perëndimor Timisoara, pas një kryengritjeje që nisi më 17 dhjetor 1989 shkaktuan indinjatë kombëtare, të nxitura edhe nga demonstratat e nisura në vendet fqinje si Bullgari, Hungari dhe Çekosllovaki.

Çaushesku fajësoi ato që i quante “grupe fashiste reaksionare” për organizimin e protestave anti-qeveritare në Rumani dhe pranoi për herë të parë se ushtrisë iu desh të ndërhynte për të rivendosur rendin, edhe pse nuk foli për viktimat, pavarësisht raportimeve që sugjeronin për qindra ose mijëra njerëz që qëlloheshin nga trupat e tij.

Më 21 dhjetor 1989, në Bukuresht, manifestuesit do të ndërprisnin një miting qeveritar të drejtuar nga Çaushesku. Radio-televizioni i Bukureshtit ndërpreu transmetimin e fjalimit të liderit, në të cilin ai tha se protestat ishin organizuar nga njerëz që donin t’i jepnin fund socializmit dhe ta vendosnin Rumaninë nën dominim të huaj. Ai shtoi se integriteti i Rumanisë duhej ruajtur me të gjitha mënyrat.

Beteja të shumta morën jetë në kryeqytet dhe qytete të tjera të Rumanisë, teksa forcat e sigurisë që kishin mbajtur Çausheskun në pushtet luftuan me ushtrinë për kontrollin e vendit. Në një ditë kur emocionet e qytetarëve ndryshuan rrënjësisht nga ngazëllimi në terror, në Bukuresht, një qytet me 2 milionë banorë, turma të mëdha njerëzish u mblodhën në sheshin e jashtëm përballë pallatit të vjetër mbretëror për të festuar largimin poshtërues të diktatorit. Asokohe pati konfuzion dhe të dhëna kontradiktore mbi fatin e Çausheskut dhe bashkëshortes Elena. Disa burime thoshin se çifti ishte arrestuar, të tjera do të thoshin se ishte arratisur nga vendi.

Të arrestuar në qytetin Targoviste, në afërsi të Bukureshtit, Nikolae dhe Elena u gjykuan më 25 dhjetor të 1989-s nga një gjykatë ushtarake për gjenocid dhe abuzim me pushtetin. Gjyqi dy-orësh përfundoi me shpalljen fajtorë të të dyve për të gjitha akuzat dhe me dënimin e tyre me vdekje. Pak më vonë, ata u pushkatuan në oborrin e ndërtesës. Pamje të gjyqit dhe trupat e ekzekutuar të Çausheskut dhe bashkëshortes u transmetuan në televizion.

Rumania përjetoi një kthim të moderuar tek qetësia. Qeveria e re që erdhi në pushtet filloi të frenonte problemet sociale dhe ekonomike, hoqi racionet për ushqimet, ndaloi eksportet e artikujve ushqimorë dhe i bëri thirrje publikut që të mos përdorte dhunë ndaj kundërshtarëve. Ndërkohë, u mbajtën varrimet e personave të vrarë gjatë protestave, pallati me objekte luksi i Çausheskut u hap për qytetarët, ndërsa në tunelet nëntokësore ushtarët përdorën qentë e stërvitur për të gjetur agjentët e sigurimit.

Vendi vijoi kthimin e ngadaltë drejt normalitetit, me disa skuadrilje tankesh që tërhiqeshin nga qendra e Bukureshtit dhe njerëzit që filluan punimet për rindërtimin e godinave të shkatërruara. Me revolucionin anti-Çaushesku tashmë të sigurt, njësitë speciale filluan tërheqjen në bazat ushtarake jashtë kryeqytetit. Qytetarët, të guximshëm, sfiduan temperaturat e ulëta dhe dëborën për të festuar dhe për t’i dhënë lamtumirën tankeve që largoheshin, të cilët mbanin flamurin rumun me shenjën e Partisë Komuniste të hequr nga qendra.

Partia në pushtet, Fronti i Shpëtimit Kombëtar, shpalli të paligjshme Partinë Komuniste në janar të vitit 1990, për ta kthyer vendimin vetëm një ditë më pas. Në Timisoara, protetstat anti-komuniste detyruan ushtrinë të merrte kontrollin e qytetit pasi administratorët e tij dhanë dorëheqjen. Banorët e qytetit vazhduan të nderonin personat e vrarë gjatë kryengritjeve duke ndezur qirinj dhe duke vendosur buqeta me lule në vendet e shenjta.

Rumunët përfituan nga dita e pushimit kombëtar për të vizituar Pallatin e Popullit, të ndërtuar nga regjimi i Çausheskut, duke parë nga afër dhomat e mëdha, shumica e të cilave të pambaruara, dhe duke u mrekulluar nga tavanët të zbukuruar me ar dhe abazhurët e mahnitshëm.

Ku ndodhet Rumania sot, 30 vjet më vonë?

Një studim i kryer në maj të vitit 2019 zbuloi se mbi 76 për qind e rumunëve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar.

Sipas studimit, rumunët kanë fare pak besim tek institucionet qeveritare; konkretisht, vetëm 8.9 për qind kanë besim tek partitë politike dhe vetëm 9.8 për qind tek Parlamenti. Institucionet më të besuara rezultojnë vetëm ushtria dhe kisha.

Rumania ka gjithashtu një kuotë të lartë emigracioni krahasuar me vende të tjera si Meksika, Kina dhe India. Një raport i fundit zbuloi se 17 për qind e popullsisë u zhvendos jashtë shtetit në periudhën 2015-2016.

Studiuesit ia atribuojnë këtë situatë trashëgimisë së Çausheskut dhe vlerësojnë se vetëm ndryshimet afatgjata do të mund ta ndërrojnë kursin e kulturës politike në shoqëri.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?