Teksa numri i të vdekurve dhe i të prekurve nga coronavirusi sa vjen e rritet, shumë shtete po punojnë për të gjetur mënyrat e parandalimit të tij. Kështu, në Siatëll, në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, studiuesit po punojnë për një test diagnostikues përmes të cilit shpresojnë të kapin virusin në fazat e hershme të tij, për të penguar përhapjen.
“Aktualisht ne nuk po kryejmë teste klinike sepse kjo bëhet nga autoritetet e shëndetit publik, por në rast se virusi përhapet, atëherë duhet të jemi gati sepse duhet pak kohë që gjërat të vihen në funksion”, thotw Alex Greninger, asistent profesor, Universiteti i Uashingtonit”
Asistent profesori i virologjisë shprehet më tej se, ekipet e universitetit po veprojnë njësoj sikurse u veprua pak vite më parë me virusin Zika, apo me H1N1 në vitin 2009.
Testi diagnostikues, të cilin shkencëtarët shpresojnë ta kenë gati brenda disa javësh, bazohet në të dhënat më të fundit gjenomike mbi coronavirusin.
Në të njëjtën kohë, disa shkencëtarë në Australi deklaruan se kanë zhvilluar me sukses një version të coronavirusit në laborator, një zhvillim që mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Studiuesit në Institutin Doherti në Melbërn thonë se do t’i ndajnë kampionet e virusit, të marra nga një pacient i infektuar, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe laboratorët e tjerë në mbarë botën.
Virusi, i ngjashëm me gripin dhe i rënë në qytetin kinez të Wuhanit, përhapet nga kolla dhe teshtimat.
Varianti i përgatitur në Australi do të përdoret për të gjeneruar një antitrup, që do të lejonte zbulimin e virusit tek pacientët që nuk kanë treguar simptoma, si dhe do të mundësonte krijimin e një vaksine.