Diktatura 45-vjeçare e regjimit komunist ka lënë pasoja në shoqërinë shqiptare. Por historia jonë kombëtare është 24% e kurrikulës mësimore parauniversitare.
Ekspertja e historisë, Fatmiroshe Xhemalaj e quan këtë një arritje. Por përmirësimi i kurrikulës jo domosdoshmërish ka sjellë dije.
“Mendoj se njohuritë historike në publik, në pjesën e komunizmit, por edhe pjesët e tjera të historisë, janë të pakta. Ndoshta nuk e kanë atë interes”, – thotë ekspertja e historisë, Fatmiroshe Xhemalaj.
Deri në 2005, tekstet e historisë kanë ndryshuar në varësi të qeverive aktuale. Pas 2005-s, ekspertja Xhemalaj tregon se reforma e adoptuar u lejoi hapësirë historianëve të hartonin tekste shkollore të bazuar në fakte dhe jo bindjeve politike.
Pavarësisht influencave ose jo, regjimi ishte një realitet.
“Unë do t’u thosha të rinjve, por edhe gjithë qytetarëve, jo vetëm historinë e periudhës komuniste që duhet ta mësojnë, por duhet të mësojnë historinë kombëtare. Sepse kur ti mëson historinë tënde, ti ke mësuar tapinë, ke marrë tapinë e shtëpisë tënde, ke identitetin tënd”, – thotë znj. Xhemalaj.
Shtatë ditë kujtese do i kushtohen regjimit totalitar. Synimi është ndërgjegjësimi dhe edukimi publik rreth krimeve më serioze të kryera nga diktatura.
“Periudha komuniste nuk është e shkuar. Shpesh themi që është e shkuar, por e tashme, e cila nuk na lë të jetojmë jetën si qytetarë”, – thotë ekspertja e historisë.