Një person i dyshuar për sulm me armë në qytetin Hanau në Gjermani është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij, disa orë pas të shtënave në dy lokale. Oficerët gjithashtu kanë gjetur dhe një trup tjetër, që dyshohet se bëhet fjalë për nënën e autorit.
Në një komunikatë zyrtare të policisë gjermane thuhet se në dy sulmet numri i viktimave është 9, duke e çuar në total 11 numrin e të vdekurve. Sulmet kanë ndodhur në harkun e pak minutave, në orët e vona të së mërkurës. Dy lokalet mësohet se frekuentoheshin nga komunitetit kurd.
Pas të shtënave, policia nisi kërkimet në qendër të Hanau, duke vënë në lëvizje dhe një helikopter për kërkimet nga ajri. Fillimisht, policia bëri të ditur se ishin 8 viktima dhe 5 të plagosur, ndërsa një tjetër i vdekur u konfirmua më vonë.
Një makinë e zezë është parë të largohet nga zona ku ndodhi sulmi i parë ndërsa sulmi i dytë ka ndodhur rreth 2.5 km më larg. Deri tani zyrtarët gjermanë nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimave. Lokalet ku ndodhen sulme janë shisha bar, ku njerëzit mblidhen për të tymosur duhan.
Gazeta gjermane “Bild” raporton se autor i sulmit është një 43-vjeçar gjerman, i quajtur Tobias R. Ndërkohë, sipas policisë deri tani nuk ka dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjaje.
Hanau ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Frankfurtit dhe ka një popullsi prej 100 mijë banorë. Gjermania është në alarm për rrezikun që i kanoset nga ekstremizmi i të djathtës ekstreme. Prokurorët thonë se po hetojnë mbi këtë motiv për sulmet.