Numri i të prekurve nga coronavirusi në vendin tonë ka shkuar në 15, ndërkohë që grua 73-vjeçare ishte viktima e parë e virusit të rrezikshëm në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një komunikimi ‘live’ për publikun bënë me dije shifrat e fundit.
“50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë në testin për COVID-19. Ndërkohë kanë përfunduar testimet pasditen e sotme për gjithsej 84 të dyshuar, nga të cilët, 3 kanë rezultuar pozitivë në Tiranë dhe janë kontakte të ngushta të pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19.
Në total deri në këto momente, janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 15 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifikuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje”, bëri me dije ministrja.
Euronews Albania ka mësuar se 73-vjeçarja ka qenë më parë në Bolonja të Italisë, ndërsa me t’u kthyer nga andej ka shkuar e vetme për të kërkuar ndihmë në Spitalin e Durrësit. Lajmi i hidhur konfirmohet edhe nga vetë ministria e Shëndetësisë.
“Pacientja 73-vjeçare e konfirmuar me COVID-19 ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare”,njofton Ministria e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, 73-vjeçarja që humbi jetën vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese si:Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass.