Shkon në mbi 1000 numri i të vdekurve nga coronavirus në Kinë. Autoritetet e shëndetit publik janë duke mbikëqyrur situatën për të parë nëse rikthimi i punëtorëve dhe rinisja e biznesit do të përkeqësojë përhapjen e virusit.
Edhe Evropa po përballet me frikën nga coronovirusi. Në Britani të infektuarit mund të futen forcërisht në karantinë, teksa merren edhe masat për të luftuar përhapjen e virusit. Një farmaci në Anglinë Jugore u mbyll përkohësisht pasi një anëtar i stafit rezultoi pozitiv ndaj virusit.
Pesë nga tetë personat e diagnostikuar në Britani të Madhe kanë pasur lidhje me shtetasin britanik i cili u infektua me coronavirus gjatë një konference në Singapor dhe ku më pas udhëtoi në një resort për ski në Francë ku edhe infektoi të tjerët.
Shefi i OBSH-së ka paralajmëruar se rastet e reja në Britani dhe në Francë mund të jenë sinjale të përhapjes së shpejtë të virusit.
“Ditët e fundit ne kemi vënë re disa raste që kanë të bëjnë me kalimin e virusit tek njerëz që nuk kanë udhëtuar në Kinë. Zbulimi i këtyre rasteve mund të jenë shenja të diçkaje që mund të bëhet më e madhe , por për momentin është vetëm një shenjë. Objektivi ynë mbetet kontrolli”, shprehet Tedros Adhanom, drejtor i përgjithshëm në OBSH.
Ndërkohë në Bruksel komisioni i BE-së për menaxhimin e krizave ka thirrur një mbledhje urgjente të ministrave të Shëndetësisë për të diskutuar mbi përhapjen e virusit.
“Është e mundur që gjërat të përmirësohen, ose do të mund të përkeqësohen, por kjo nuk do të na dekurajojë. Kjo do të na motivojë më shumë”, thotë Janez Lenarcic, Komisionere për Menaxhimin e Krizave.
Në Kinë, Presidenti Xi Jinping dhuroi një maskë për fytyrën dhe e kontrolloi temperaturën e tij gjatë vizitës në një spital në Pekin. Udhëheqësi kinez ka mbajtur një profil të ulët pasi shpërthimi i virusit është përkeqësuar. Ai ende nuk do të vizitojë Wuhan, qyteti ku nisi çdo gjë.
Qytetarët kinez duhej të rikthehshin në punë, por pushimet e vitit të ri hënor janë zgjatur për shkak të virusit. Metrot, autobusët, rrugët në Pekin janë ende të heshtura. Shumë biznese vijojnë të jenë të mbyllura dhe kompanitë po inkurajojnë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia.