Lumi Shkumbin është kthyer në një problem tepër serioz për banorët e lagjes Baltavere në Shushicë të Elbasanit.
Gjatë viteve të fundit Lumi ka gërryer shumë toka bujqësore e tashmë rrezikon edhe të paktën 150 ha të tjera, disa banesa e disa biznese në këtë zonë. Mungesa e pritave ka bërë që lumi Shkumbin të jetë çdo ditë e më i rrezikshëm për këto zona.
Mbi 20 shtëpi, disa biznese dhe dy shtylla të tensionit të lartë rrezikojnë të rrëmbehen nga vërshimi i ujërave të lumit Shkumbin.
Banorët të frikësuar kërkojnë ndërtimin e pritave, pasi situata është shumë alarmante. Mungesa e investimeve të pushtetit lokal mund të shkaktojë një tragjedi.
“Ka 4 vjet që bëhet, kjo s’do t’ia dijë njeri fare. Jemi ankuar, kërkesa kemi, kanë ardhur këtu, do devijojmë ujin do bëjmë këtë, asgjë fare”, thotë një banor.
Një stallë që merret me mbarështimin e derrave në këtë zonë rrezikon të përpihet nga uji.
“Biznesi mbaroi, iku biznesi e ik ankohu ne qeveri se ke qeveri po për ne nuk ka qeveri. Hajde vëlla na devijo ujin, tatimet po na i merr. Shkumbini po na merr në qafë, na i përmbyti tokat edhe hajde merr tatim tek unë tani ti”, shprehet një qytetar.
Jashtë kamerave, drejtori i Emergjencave Civile pranë bashkisë Elbasan Ndriçim Sinani e vlerëson si kritike situatën dhe sipas tij, nga bashkia është dorëzuar projekti në Ministrinë e Bujqësisë dhe pritet financimi i duhur për të mundësuar ndërhyrjen që do të zgjidhte problematikën.
LEXONI GJITHASHTU:
- Moti i keq përfshin dhe jugun e vendit, si paraqitet situata në Vlorë dhe Korçë
- Moti “shkund” Vlorën, pezullohen lundrimet