Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një deklaratë të dhënë sot për mediat, është shprehur se, më 2 mars do të firmosë dekretin e parë për çmontimin e atij që ai e konsideron “grupin organizator të grushtit të shtetit ndaj reformës në drejtësi”.
Me tona të ashpra ndaj Qeverisë dhe Parlamentit, Meta akuzoi se pas tentativave për të kapur Gjykatën Kushtetuese fshihet Kryeministri, Edi Rama. Presidenti foli dhe për “drejtësi të re” pas parandalimit të grushtit të shtetit, duke thënë se, përgjegjësi kryesor do të jetë z, Rama.
Presidenti doli përpara kamerave për të nxjerr prova të reja që sipas tij, implikojnë maxhorancën dhe kryeministrin Edi Rama në kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe që do të jetë kreu i qeverisë që do të dalë përpara drejtësisë së re.
“Është kryeministri, ideatori, frymëzuesi dhe ekzekutori i këtij puçi shteti dhe ai do të jetë përgjegjësi i parë përpara popullit shqiptar dhe përpara drejtësisë së re që do të vijë pas triumfit kundër grushtit të shtetit dhe do të vijë patjetër”, u shpreh z. Meta.
Duke folur për ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve, Meta tha se Parlamenti ka miratuar ligjin në shkelje të Kushtetutës dhe ka kryer konsultime. Presidenti iu referua Parlamentit si “gjysëmparlament”, ndërsa për deputetët përdori termin “deledeputetë”. I pyetur se përse nuk dekreton shpërndarjen e Parlamentit, Meta përmendi datën 2 mars, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
“Nga data 2 mars, kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit dhe në shpartallim të plotë të këtij grushti shteti, pikërisht para popullit shqiptar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar njëherë e mirë regjimin e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare, që ka dhunuar sovranitetin kombëtar me qëllim shpopullimin e këtij vendi dhe shndërrimin e tij në një qendër pastrimi të parave, në një bazë operacioneve të krimit të organizuar, kombëtar dhe ndërkombëtar”, deklaroi z. Meta.
“Në 2 mars, u presim të gjithëve, pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u japim fjalën se shumë shpejt, falë popullit shqiptar, shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti i Republikës, por gjithë institucionet në boulevard dhe kudo, do t’i kthehen popullit.Ata që kërkojnë popullin e presidentit në WhatsApp, të porosisin poture të gjera” , përfundoi Presidenti.
Spiropali: Zoti e ndihmoftë Ilir Metën
Për deklaratën e fortë të Presidentit Meta, ka reaguar ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
“Pyetja sot s’është pse Presidentit i ka dalë gjuha jashtë kontrollit dhe s’ka më asnjë kontroll mbi Ilir Metën. Kjo dihet. Pyetja është pse Ilir Meta priti Konferencën e Donatorëve për ta ribërë leckë Presidentin! Keqardhja për Presidentin ka sosur. Ajo për I. Metën s’ka të sosur!
Zoti e ndihmoftë Ilir Metën se Presidentin s’e ndihmon dot më as Luli! Populli jo e jo. Sa për grushtin e shtetit, ai ka nisur në kokën e Ilirit qysh kur nisi Reforma në Drejtësi dhe do të vazhdojë sa herë që në konsensus me SHBA/BE ne miratojmë ligje që atij i duken grushte”, shprehet Spiropali.