Dy ura në rajonet kufitare të Kurskut dhe Bryansk u shembën gjatë natës si pasojë e shpërthimeve të fuqishme, që nxorën trenat nga shinat, duke shkaktuar të paktën shtatë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Autoritetet ruse po hetojnë ngjarjet si “akte terrorizmi”.
Guvernatori në detyrë i Bryansk, Aleksandër Bogomaz, konfirmoi se ura mbi të cilën po kalonte një tren pasagjerësh me 388 udhëtarë u hodh në erë, duke shkaktuar katastrofën. Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi hapjen e një hetimi për shkak të shpërthimeve që shkaktuan rrëzimin e urave, ndërsa prokurorët po ndjekin pista të ndryshme për zbardhjen e ngjarjes.
Kremlini bëri me dije se presidenti Vladimir Putin ishte informuar gjatë gjithë natës për incidentet dhe se situata trajtohet me prioritet të lartë.
Në njërin prej incidenteve, një urë autostrade në rajonin Bryansk u shkatërrua në momentin kur po kalonte një tren pasagjerësh për në Moskë, duke lënë 7 persona të vrarë dhe 69 të plagosur. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani.
Ngjarja vjen në një periudhë tensioni të lartë, ndërsa në frontin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, Ukraina zhvilloi sulme me dronë dhe raketa kundër bazave ushtarake ruse, përfshirë një sulm të rrallë në Siberi, mbi 4,300 km larg vijave të frontit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Sot raundi i dytë i negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll
- Ukraina kryen sulmin më të madh me rreze të gjatë ndaj Rusisë