Policia e Vlorës ka ndaluar një person të dyshuar për shkatërrimin me eksploziv të lokalit “The Boss” në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, gjatë opercionit “DANGER” u bë i mundur ndalimi i shtetasit Beqir Selamaj alias Beqir Murati, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Lokali “The Boss” rezulton në pronësi të 73-vjeçares Resmie Birçaj, nëna e Bledar Birçajt, i ekzekutuar me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen ‘Hajro Çakërri’.
Ndërsa Beqir Selamaj alias Beqir Murati ka qenë i arrestuar dhe në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Mesnata” ku u godit nga Policia e Vlorës një grup kriminal i dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera në qytetin e Vlorës.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Shpërthim tritoli te “The Boss” në Lungomare, ish-pronari u vra në 2021
- Ushtronin prostitucion në Vlorë, nis hetimi ndaj 4 shtetaseve të huaja