Blagojev Kamen ndodhet në lindje të Serbisë. Dikur atje jetonin 200 familje, ndërsa tani fshati po braktiset, sikurse shumë zona të Serbisë. Sipas qeverisë, vendi humbet 103 serbë çdo ditë dhe një qytezë çdo vit. Edhe fëmijët e Uros Trainoviç janë larguar drejt Austrisë dhe Gjermanisë.
“Aktualisht këtu jetojnë vetëm 4 familje dhe 8 persona. Asgjë më shumë. Nuk ka më rini këtu”, theksoi Uros Trainoviç, banori i fshatit Blagojev Kamen.
Banka Botërore vlerëson se deri në vitin 2050 do të kenë mbetur 5.8 milionë serbë në vend të 7 milionë që janë tani. Kuota e lindjeve është tej mase e ulët dhe kësaj i shtohet emigracioni. Të rinjtë nuk kanë shumë zgjedhje, përveç se të largohen.
“Nuk ka të bëjë vetëm numri i emigrantëve, por edhe cilët persona largohen. Po shohim se po ikin më të arsimuarit, më të kualifikuarit dhe më të motivuarit. Kjo është qartësisht një rrjedhje e kapitalit njerëzor”- theksoi Wolfgang Lutz, ekspert i demografisë.
Bëhet fjalë për një rreth vicioz me mungesë perspektive, emigracion dhe plakje. Dhe sikurse në Serbi, e njëjta gjë po ndodh në Kroaci, Bullgari e thuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Qeveria serbe është përpjekur ta frenojë trendin, duke ofruar ndihmë financiare për familjet me shumë fëmijë e jo vetëm, por deri tani pa sukses.