Dëbimi i mësuesit turk, Harun Çelik nga autoritetet shqiptare ka ngjallur reagime edhe në Bruksel. Eurodeputetja, Romania Strugariu, në një intervistë për Euronews Albania tha se pret që Çelik të kthehet në Europë, ku Shqipëria më pas mund të diskutojë kërkesën për azil politik.
Ernest Bunguri : Zonja Strugariu, fillimisht si mësuat për këtë ngjarje dhe cili ishte reagimi juaj i parë?
Ramonia Strugariu, Parlamenti Evropian, Renew Europe, Bruksel: Mësova për këtë ngjarje pasditen e 1 janarit. Disa mësues dhe përfaqësues të shoqatave jo-qeveritare më kontaktuan me telefon duke më thënë se ka diçka urgjente, një rrezik imanent ekstradimi, dhe më kërkuan të reagoj, të marr qëndrim e të ndihmoj në çfarëdolloj mënyre.
Dhe këtë gjë bëra, pak minuta pas njoftimit i dërgova mesazh Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, i dërgova mesazh Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, si dhe reagova publikisht gjithashtu, në Twitter, ku fola për bazën ligjore evropiane e cila mund ta parandalonte ekstradimin, por edhe për Konventën mbi ekstradimet për të cilën Shqipëria e ka firmosur dhe ratifikuar.
Reagimi im pra ishte i menjëhershëm. Unë e dija se Harun Çelik ndodhej rrugës për në aeroport apo sapo kishte mbërritur ndërkohë që unë po reagoja, dhe mendoj se nuk ka mundësi që mesazhi im të mos kishte arritur në kohë, që autoritetet përkatëse të mos dinin dhe të mos kuptonin se drejt çfarë gjëje po e ekspozojë rrugën evropiane të Shqipërisë, sepse kjo është pikërisht ajo për çfarë po flasim.
Ernest Bunguri: Ka një precedent të mëparshëm ndërkohë, dhe siç e thatë Shqipëria ka ratifikuar një Konventë për raste të tilla. A mund të na shpjegoni mbi precedentin dhe rëndësinë e Konventës gjithashtu?
Ramona Strugariu: Po, situata është shumë e thjeshtë. Në çdo takim të delegacionit europarlamentar me Shqipërinë, dhe në të gjitha mesazhet e transmetuara ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj Parlamentit Evropian, Shqipëria ka deklaruar se është gati të ndërmarrë hapat e radhës përpara drejt integrimit evropian. Është vend kandidat që prej vitit 2014 dhe ka pasur progres, por mendoj se çfarë ka ndodhur është për të ardhur keq dhe përbën një hap të stërmadh pas.
Në vitin 2017 ne patëm një rast mjaft të ngjashëm, të një mësuesi që ishte rezident në Shqipëri në atë kohë – gjithsesi edhe profesori Çelik kishte kërkuar azil politik në Shqipëri dhe nuk e di se si e kanë trajtuar këtë aspekt – dhe në atë kohë, Monica Makovei ishte kreu i delegacionit europarlamentar dhe unë isha kreu i zyrës së saj dhe punova me Monikën mbi këtë rast, prandaj jam shumë e familjarizuar me situatën. Edhe atëherë reaguam menjëherë. Një letër iu dërgua autoriteteve shqiptare e cila u përdor edhe në gjykatë, në të cilën përmenden shkurtimisht dy gjëra. Një gjë është Konventa e Këshillit të Evropës për ekstradimet, ku Shqipëria bën pjesë, e kanë firmosur dhe ratifikuar, në të cilën artikulli 3 deklaron qartë se nuk mund të bësh ekstradime të bazuara në bindje politike apo në vepra të lidhura me bindjet politike. Dhe pas kësaj, sigurisht, nëse Shqipëria deklaron se janë të përgatitur, e dini çfarë, të jesh gati për në BE do të thotë jo të deklarosh se je gati, por do të thotë se duhet të sillesh si një vend evropian. Dhe artikulli 19, pika 2, e kartës evropiane të të drejtave themelore, thotë se nuk mund të bësh ekstradime drejt vendeve ku ai person mund të ekspozohet ndaj trajtimeve çnjerëzore, torturës, vdekjes, apo çdo lloj tjetër sjelljeje çnjerëzore.
Pra pyetjet e mia janë shumë të qarta në lidhje më këtë, dhe nuk ishte thjesht një reagim për atë pasdite dhe për atë moment. Unë jam në procesin e përgatitjes së një letre, dhe së bashku me kolegun tim Vlad Botos që është edhe zv. kryetar i delegacionit me Shqipërinë, ku pyesim shumë qartë: cila është baza ligjore për këtë ekstradim; a u respektua apo jo vetë legjislacioni shqiptar, sepse kjo është pyetje vërtet e rëndësishme, dhe me sa ne kemi lexuar nga legjislacion shqiptar, duket se jo, por le ta shohim, ne po presim për disa përgjigje; dhe si e sheh Shqipëria rrugëtimin evropian para Samitit të Zagrebit të vitit 2020 dhe para një vendimi të Këshillit që do të duhej të merret para këtij samiti, nëse ne nuk respektojmë parimet bazë të të drejtave të njeriut, të cilat mishërohen në legjislacionin evropian.”
Ernest Bunguri: Meqë po flasim për këtë, cilat do të ishin pasojat për vendin nëse Shqipëria nuk ka respektuar çfarë duhej?
Ramona Strugariu: Unë kam qenë një prej zërave që kanë mbështetur fort integrimin e mëtejshëm evropian në fakt. Dhe kur diskutimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte në tryezë, së bashku me kolegë të tjerë ne mbështetëm këtë integrim dhe mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm dhe se integrimi është një pjesë thelbësore për procesin e demokratizimit për secilin vend që i bashkohen Bashkimit Evropian, veçanërisht për vendet e Ballkanit, ato të Evropës Lindore dhe Qendrore. Por jo me çdo çmim! Dhe unë mendoj se nëse kjo situatë vërtetohet të jetë ashtu siç duket tashmë së është, praktikisht një shkelje e të drejtave të njeriut, mund t’i kushtojë Shqipërisë mjaft shtrenjtë në këtë perspektivë. Kjo sepse, të jem e sinqertë, unë nuk mendoj se të jesh hipokrit ndaj të drejtave të njeriut është rruga e integrimit në Bashkimin Evropian. Është një prej vlerave themelore që ne e marrim parasysh. Kjo gjë do të trajtohet gjithashtu në diskutimet e delegacionit dhe do të trajtohet gjithashtu, nga ana ime, dhe nga ana e shumë kolegëve të tjerë së bashku, në të gjitha hapat përkatëse. Ne nuk pretendojmë se mbrojmë vlerat evropiane. Ne i respektojmë vlerat evropiane! Është kaq e thjeshtë.
Ernest Bunguri: Çfarë prisni të bëjnë autoritetet shqiptare?
Ramona Strugariu: Fillimisht unë jam skajshëm e zhgënjyer që ndodhi, skajshëm e zhgënjyer, nuk do ta kisha pritur kurrë, veçanërisht pse e di se në rastet e tjera ata kanë reaguar krejt ndryshëm dhe shumë në përputhje le të themi me legjislacionin dhe vlerat evropiane. Unë pres përgjigje shumë të qarta në lidhje me këtë situatë dhe do të prisja që ata ta trajtojnë këtë çështje me autoritetet turke, dhe që, nëse është e mundur, në respekt të legjislacionit, ky person të merret nga territori turk dhe të kthehet në Europë ku Shqipëria mund të diskutojë kërkesën për azil politik. Kjo është çfarë unë pres.
Ernest Bunguri: E nëse ka raste të ngjashme në të ardhmen?
Ramona Strugariu: Mendoj se secili vend, sepse e dini që kushtet janë të njëjta për të gjithë, por posaçërisht ato vende që pretendojnë me forcë se i bashkëngjiten vlerave europiane dhe që janë rrugës për në BE, duhet të jenë plotësisht të angazhuar ndaj kartës evropiane të të drejtave themelore dhe ndaj legjislacionit tonë. Dhe kur diçka e tillë ndodh është një sinjal i qartë se ata nuk janë të angazhuar, se ata nuk janë gati dhe se sado të duam ne ta mbështesim këtë integrim, mendoj se kjo është një vijë e kuqe që ne nuk mund ta pranojmë.