Shqipëria do të prodhojë energji diellore dhe nga gazi natyror, përveç energjisë hidrike, ndaj duhet parashikuar prodhimi i energjisë. Një memorandum bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë u nënshkrua sot, me qëllim asistencën financiare dhe logjistike për një energji më efiçiente.
“Pra gjithsekush prej jush, duhet të fillojë tani dhe në respektim të ligjit, të planifikojë më mire prodhimin, në mënyrë që të shkaktojnë sa më pak probleme në sistem lidhur me hedhjen e energjisë në rrjet”, shprehet z. Ilir Bejtja, Zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Synohet që të gjitha burimet në dispozicion të prodhojnë energji, duke minimizuar humbjet. Enti Rregullator Italian do të ndihmojë në përmirësimin e infrastrukturës sonë energjetike dhe rrjetit të shpërndarjes.
Përmirësimi i kësaj infrastrukture do të ndihmojë edhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE.
“Përveç korridoreve të energjisë, besoj është me rëndësi të punojmë me territoret e kompetencave, dhe të ballafaqohemi me modelet e njohura në Evropë. Dhe besoj se kjo do të favorizojë afrimin drejt procesin në çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha z. Stefano Saglia, Anëtar i Këshillit të Enti Rregullator Italian të Energjisë.
Shqipëria ka 11 projekte të planifikuara të energjisë diellore. Ankandi i fundit ishte për parkun fotovoltaik të Karavastasë. Memorandumi i bashkëpunimit do të ndihmojë rritjen ekonomike, jo vetëm pse treguesi i faturimit të energjisë rritet çdo vit me 5-6 përqind. Memorandumi do t’i shtojë mundësitë për investime.