Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen me qeverinë turke për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja në qytetin e Laçit, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti tragjik i datës 26 nëntor 2019.
Kryeministri Edi Rama në emër të qeverisë shqiptare theksoi se ndërtimi i godinave të reja nuk do të zgjidhë vetëm problemin e strehimit në qytetin e Laçit, por edhe atë të përmbytjeve.
Vërshimi i ujërave në shtëpitë dhe tokat e Laçit ka qenë dhe vijon të mbetet një problematikë e madhe, e cila për fat të keq i ka shoqëruar banorët prej shumë vitesh.
“Janë 500 njësi të reja banimi, që do ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të presidentin Rexhep Taip Erdogan në zonën e Laçit që njerëzit të kthehen në shtëpi më të mira se ato që kanë pasur.
Ky është zëvendësimi i godina të rrënuara dhe do të jetë një transformim i rëndësishëm i gjithë situatës urbane. Agjencia e angazhuar për këto 500 njësi, do vazhdojmë me një plan zhvillimi për të gjithë infrastrukturës. I japim zgjidhje edhe përmbytjeve në zonën e Laçit”, -theksoi shefi i qeverisë shqiptare.
Ministri i Turqisë për Mjedisin dhe Urbanizimin, z.Murat Kurum bëri një apel kundrejt qeverisë shqiptare, prej të cilës kërkoi që t’i jepet trualli dhe të nisë pa humbur kohë ndërtimi i njësive të banimit.
“Jemi këtu në kuadër të këtij procesi dhe deri në fund të Janarit autoritet shqiptare të na dorëzojnë truallin ku do të bëhet ndërtimi. Do të jetë një lagje shembullore, dhe ndërtimi do të përshtatet me arkitekturën dhe traditën shqiptare”, theksoi z. Murat Kurum.
Qeveria i ka lënë afat njësive vendore që brenda këtij muaji të dorëzojnë dokumentet e sakta ku do të implementohet programi i rindërtimit.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Qeveria shqiptare ende nuk ka publikuar faturën reale të dëmeve financiare.
Gjatë ditës së djeshme, Presidentja e Komisionit të Evropës, Ursula Von der Leyen gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin e Kroacisë bëri me dije se me 17 shkurt të 2020 do të zhvillohet në Bruksel Konferenca e Donatorëve, e cila synon të ndihmojë Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar, ku 51 qytetarë humbën jetën në Durrës e Thumanë, ndërsa mijëra të tjerë u detyruan të zhvendoseshin pasi humbën shtëpitë e tyre.
“Jemi të lumtur që Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë do të mbahet më 17 shkurt, që vjen pas tërmetit të tmerrshëm. Do përpiqemi të ndihmojmë Shqipërinë pas tërmetit, është një mesazh i qartë nga ana jonë sa i përket kësaj çështje”, u shpreh znj. Ursula Von der Leyen.