Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë, në Maqedoninë e Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i diplomacisë së Shqipërisë thotë se ky vendim është në përputhje më planin, i cili në vetvete synon shtimin e ndërveprimeve mes shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas ministrit, rrethi konsullor i kësaj qendre do të përfshijë Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën, Gjevgjelinë dhe disa vende të tjera. Ai gjithashtu bën me dije se kjo konsullatë do të ketë rol të veçantë edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore mes tyre dhe Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i plotë i ministrit Gent Cakaj
Edhe një lajm fantastik për Shqipërinë e shqiptarët. Në përputhje me planin për të thelluar marrëdhënien e shtuar ndërveprimin me shqiptarët në rajon, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë tashmë ka marrë vendim për çeljen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë, në Maqedoninë e Veriut !
Rrethi konsullor i kësaj qendre përfshin Strugën, Ohrin, Manastirin, Kërçovën, Dibrën, Gjevgjelinë, Resen/rajon i Liqenit të Prespës. Pra, kjo konsullatë do të ketë rol të veçantë edhe në nxitjen e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike, shoqërore e kulturore mes tyre dhe Republikës së Shqipërisë.
Ne do të vazhdojmë me marrjen e masave të reja në shërbim të forcimit të lidhjeve me shqiptarët e lartësimit të faktorit shqiptar në rajon!