Grupimet që drejtonte gjeneral Qassem Suleiman nuk janë të panjohura për qeverinë shqiptare. Janë të njëjtët që kanë tentuar të kryejnë dy sulme terroriste në vendin tonë, ku strehohen rreth 3 mijë muxhahedinë iranianë.
Muxhahedinët iranianë që ndodhen në vendin tonë janë strehuar në të ashtëquajturin qyteti Ashraf 3, në Manëz të Durrësit.
Ky kamp shërben si çati për rreth 3000 muxhahedinë, të cilët janë konsideruar edhe opozita në mërgim e Iranit. Ata janë pranuar nga shteti shqiptar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në maj të vitit 2013, qeveria “Berisha” strehoi 210 muxhahedinët e parë, ndërsa kryeministri Edi Rama ra dakord për të mirëpritur edhe 2.000 të tjerë, nga 2.800 që ishin në “Kampin liria”, në Irak.
Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit është themeluar në vitin 1965, duke iu kundërvënë regjimit në vendin e tyre.
Ky grupim dikur ishte listuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ata u hoqën nga kjo listë në vitin 2012, me vendim të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, i cili u argumentua në atë kohë me faktin se muxhahedinët kishin hequr dorë nga dhuna dhe nga aktet terroriste.
Në inaugurimin e tij verën e vitit të kaluar morën pjesë disa dhjetëra ish-zyrtarë të lartë nga të dyja anët e Atlantikut, duke përfshirë kryebashkiakun Rudy Giuliani, që është avokati personal i Presidentit Trump, senatorin Joseph Lieberman, ish-ministren e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Francës, Ingrid Betancourt dhe personalitete të tjerë.
Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka sjellë në Shqipëri celula terroriste që kanë parashikuar dy sulme.
Njëri në mars të vitit 2018, ku sipas policisë së shtetit do të kryhej një akt terrorist gjatë kremtimeve të festës së Nevruzit, plan që u parandalua nga uniformat blu dhe një tjetër sulm në dhjetor të vitit 2018, kur qeveria shqiptare dëboi dy diplomatët iranianë, mes të cilëve edhe ambasadorin e Iranit në Shqipëri, pasi dyshoheshin se kishin cenuar sigurinë kombëtare.
Dyshimi kishte të bënte me një sulm të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael. Vendimi për dëbimin e tyre u përshëndet publikisht nga Presidenti amerikan, Donald Trump dhe nga Arabia Saudite.