Shqipëria është futur sërish në listën e vendeve të pastrimit të parave. Këtë bën të ditur një raport i fundit i Moneyval, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Evropës me detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Vendi ynë doli nga kjo listë në vitin 2015 ndërsa në 2018 Moneyval u tërhoqi vëmendjen autoriteteve shqiptare se Shqipëria rrezikonte të bëhej sërish pjesë e listës.
Në raportin e 2018 vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqej vëmendja autoriteteve se nuk po merrnin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Kjo situatë ka bërë që Komisioni Europian të zgjerojë mekanizmin mbikëqyrës për pastrimin e parave në Shqipëri, duke e futur sërish Shqipërinë në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Në listën e subjekteve nën monitorim të zgjeruar Shqipëria dhe Islanda janë të vetmet vende evropiane. Vendet e reja që i shtohen listës këtë vit së bashku me Shqipërinë janë Barbados, Xhamajka, Mauritius, Myanmar, Nikaragua, Uganda.
Për ketë raport ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili ka kërkuar që Shqipëria të ndalë hapat pas dhe të mos kthehet në një lavatriçe të pastrimit të parave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh në 2 mars.