Pak orë pasi njoftoi policinë se në tubimin e dy marsit shqiptarët do të jenë në shesh me mimoza dhe flamuj kombëtar në duar, presidenti Ilir Meta iu rikthye rrjeteve sociale ku krahason Shqipërinë me Rumaninë e 3 vjetëve më parë.
“Kujtoj se vetëm 3 vite më parë, Presidenti i Rumanisë mike, vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Europian, doli në protestë në mbrojtje të shtetit ligjor dhe kundër dhunimit të Kushtetutës nga një mazhorancë dhe Parlament plotësisht kushtetues.
Presidenti rumun ju bashkua protestave të mëdha popullore kundër korrupsionit, arbitraritetit, vendimeve të marra në errësirë, ndryshimeve mafioze të legjislacionit në fuqi nga deputetët legjitimë, por në konflikt të hapur interesi, si dhe pastrimit të politikës nga kriminelët.
Për të gjithë ata që bëjnë sikur harrojnë, po u sjell në vëmendje rastin e freskët të këtij shteti anëtar të NATO-s dhe BE-së, ku Presidenti dhe populli protestuan së bashku kundër qeverisjes së mbrapshtë”, shkruan presidenti në Facebook.
Më tej kreu i shtetit rendit arsyet që sipas tij po e detyrojnë popullin dhe atë vetë t’i drejtohen sheshit, që nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese e deri tek korrupsioni dhe zhdukja e balancës së pushteteve.
“Nëse ne Rumani, Presidenti dhe populli u detyruan të dilnin në protestë për një situatë aspak normale, në Shqipëri situata është aq herë më e rëndë, sa Presidenti së bashku me popullin duhet të dilte çdo ditë në shesh.
Ndaj për këdo që e ka harruar apo nuk do ta kujtojë rastin e Rumanisë, po ia risjell në vëmendje, duke i ftuar sërish shqiptarët në 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Manifestimin Mbarëkombëtar, të paparë ndonjëherë në Shqipëri, kundër grushtit të shtetit.
Shqiptarët e bashkuar kundër puçistëve të zbuluar!”, – e përfundon postimin e tij presidenti.