Me dhjetëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar ne pikat e kalimit kufitare me Greqinë dhe Malin e Zi, pasi u është ndaluar futja në territorin e vendit. Lidhur me këtë ka reaguar Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili u bëri thirrje të gjithëve që, duke forcuar bashkëpunimin midis qytetarëve dhe autoriteteve përgjegjëse në këtë situatë të vështirë, të tregojmë mirëkuptim e bashkëpunim, por veçanërisht solidaritet dhe përgjegjshmëri të lartë për të kapërcyer me sa më pak kosto këtë sfidë të jashtëzakonshme.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të lejojë kthimin menjëherë në shtëpi të qytetarëve që prej 48 orësh mbahen peng në rrugë në pikat e kalimit të kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë e Malit të Zi.
“Braktisja e qytetarëve është papërgjegjshmëri çnjerëzore. Asnjë shtet në botë nuk pengon qytetarët e vet të futen në atdheun e tyre dhe të shkojnë në shtëpinë e tyre, shkruan Basha
I pyetur rreth kësaj çështje Kryeministri i vendit, Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të rrinë atje ku janë.
“Mos kërkoni dhe mos tentoni të vini sepse kufiri është i mbyllur. Ne nuk jemi një vend që mund të përballojmë hapjen e kufijve dhe të mbledhim të gjitha bombat këtu ndërkohë që jemi duke iu afruar mesit të kësaj lufte. Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja. Rrini atje ku rrini”, u shpreh Rama.
Euronews Albania ka raportuar për këtë çështje, ndërsa autoritetet tona u kanë bërë thirrje emigratëve të kthehen andej nga janë nisur pasi kufijtë janë mbyllur për shkak të pandemisë globale të COVID-19.
Pas interesimit të “Euronews Albania’’ për këtë çështje, burime pranë ministrisë së Jashtme bënë të ditur se të gjithë shqiptarët e mbetur të bllokuar në këto pika doganore do të kthehen mbrapsht. Gjithashtu, autoritetet shqiptare theksojnë se do te lejohet të kalojnë vetëm ata shtetas, që sigurojnë leje të posaçme nga konsullatat shqiptare në Greqi dhe nga ajo e Malit të Zi. Burime nga ministria e Jashtme u shprehën se shqiptarëve u është siguruar ushqim dhe u është kërkuar të zbatojnë urdhrin për t’u kthyer pas, ndërsa janë orientuar për të kërkuar lejen e posaçme pranë konsullatave.
Lexoni gjithashtu:
Autoritetet shqiptare i kërkojnë të kthehen pas emigrantëve të mbetur në pikën kufitare të Kakavijës