Drita Islami, kampione në atletikë është ndër femrat e pakta shqiptare me sukses përtej kufijve të Maqedonisë së Veriut, aty ku jeton.
24-vjeçarja Drita është kampione disa vjet radhazi në nivel republike, dhe ka korrur sukses në garat evropiane dhe botërore.
“Merrem me këtë sport nga mosha shumë e re. Që nga shkolla fillore. Arsimtari i edukatës fizike e kishte vërejtur shpejtësinë time dhe talentin që kisha në krahasim me bashkëmoshatarët e mi. Deri tani kam fituar gara të ndryshme. Duke filluar nga garat republikane në vendin tonë, ku jam shpallur disa vite radhazi kampione e shtetit në disiplinën 400 metra, 400 me pengesa dhe 200. Kam arritur ta fitoj edhe vendin e parë në kupën e Evropës”, – thotë atletja 24-vjeçare.
Shkupjania tregon se shpenzimet e karrierës i mbulon vetë dhe nuk ka mbështetje nga shteti.
Por, pavarësisht vështirësive financiare dhe paragjykimeve për të si femër sportiste në Maqedoninë e Veriut, ajo thotë se nuk do të ndalet.
“Gjithmonë e kam pasur përkrahjen maksimale të familjes, prandaj edhe besoj se kam arritur deri këtu. Është e vërtetë se të jesh femër shqiptare, sportiste në Maqedoninë e Veriut është pak e vështirë, pasi ballafaqohesh me paragjykime të shumta… Un jam dhjetë vite në këtë sport dhe nuk njihem për skandalet që kam bërë, por vetëm për suksesin që e kam arritur. Tani njerëzit me njohin si Drita e suksesshme e jo si një Dritë tjetër”, – thotë ajo.
Atletja Drita Islami është shqiptarja e parë që përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në garat olimpike në Rio de Zhaneiro në vitin 2016. Pavarësisht se nuk arriti të kualifikohej në finale, ishte një nismë pozitive në Maqedoninë e Veriut, e pushtuar nga nacionalizmi dhe ndasitë etnike.