Policia vietnameze ka arrestuar shtatë persona për vdekjen e 39 emigrantëve, disa muaj më parë.
Trupat e viktimave u gjetën në një kamion frigorifer pranë Londrës, në tetor të vitit 2019.
Agjencia zyrtare e Lajmeve në Vietnam ka thënë se të dyshuarit janë përballur në gjykatë me akuzën e trafikut të paligjshëm.
Sipas hetimeve, shtatë personat e akuzuar kanë ndihmuar udhëtimin e paligjshëm të 67 klandestinëve nëpër vendet europiane, ku do të kërkonin punë.
Policia vietnameze i ka bërë thirrje qeverisë që të kërkojë ndihmën e Interpolit për të arrestuar një të dyshuar që jeton në Kinë, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim.
Të gjitha viktimat, 31 burra dhe 8 gra të moshës 15 deri në 44 vjeç, vinin nga Vietnami.
Policia tha se klandestinët u kishin dhënë trafikantëve shuma të mëdha parash për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, në Britani, shoferi i kamionit dhe disa persona të tjerë të përfshirë janë mbajtur të arrestuar me akuzën për vrasje nga pakujdesia dhe sepse kanë lehtësuar realizimin e emigrimit të paligjshëm.