Përhapja e coronavirusit në Itali dhe shkaktimi i të paktën 7 viktima, ka përhapur panik në opinionin publik në Shqipëri. Jo vetëm se Italia është një vend fqinj, por edhe për faktin se është një nga vendet më të lidhura me ne për shkak se rreth 300 mijë emigrantë jetojnë atje.
Por, shifrat ndonjëherë janë manipuluese, kjo pasi asnjë nga 7 viktimat në Itali në fakt nuk është vrarë nga coronavirusi i ardhur nga Kina, por ishin më parë të sëmurë.
Rasti i parë i bërë publik ishte një 77-vjeçar i dalë në pension. Ai ishte shtruar në spital 10 ditë para se të ndërronte jetë për një patologji të mëparshme.
Rasti i dytë bën fjalë po për një 77-vjeçar që u gjet më 22 shkurt i vdekur në banesën e tij. Edhe ky rezultonte me patologji të tjera, por ndërkohë edhe i prekur nga coronavirusi.
Viktima e tretë ishte një grua e moshuar (68 vjeçe), e cila ndodhej e shtruar në onkologjik në gjendje serioze.
Rasti i katërt ishte një 84-vjeçar në Lombardi, i cili gjithashtu ndodhej i shtruar në spital.
Viktima e pestë ishte një 88-vjeçar në Bergamo.
Kurse rasti i gjashtë ishte një vdekje në spitalin e Milanos të një 80-vjeçari. I moshuari ishte shtruar të enjten e kaluar, pas një sulmi në zemër.
Pikërisht në këtë ditë mbërriti në spital dhe një 38-vjecar që pas testeve të kryera rezultoi pozitiv, duke shënuar rastin e parë në Itali.
Rasti më i fundit, viktima e shtatë, është një 62-vjeçar, i cili ishte i sëmurë kronik pasi kryente dhe dializë.