400 deri në 72 mijë lekë janë kostot që bizneset do të duhet të paguajnë për komisionet vjetore në banka.
Ligji i hyrë në fuqi më 26 korrik të këtij viti, detyron të gjitha bizneset me fitim mbi 2 milionë lekë të hapin llogari bankare.
Ky ligj është pjesë e një pakete masash për të luftuar fenomenin e pastrimit të parasë në Shqipëri.
Në kohën kur ky ligj u miratua në Komisionin e Ekonomisë, kryetari i këtij komisioni, Arben Ahmetaj, i kërkoi Ministrisë së Financave, që së bashku me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë të detyrojnë bankat të ulin kostot e mirëmbajtjes së llogarive.
“Do duhet të uleni me guvernatorin e të detyroni sistemin bankar me instrumentet ligjore që keni, që kostoja e hapjes dhe mbajtjes së llogarive të ulet. Nuk duam që të shtojmë kostot për biznesin e vogël”.- deklaroi Ahmetaj.
Mirëpo, sipas një vëzhgimi të bërë nga Euronews Albania, në bankat e nivelit të dytë rezulton se tarifat e komisionit mujor të mirëmbajtjes së llogarive janë të pandryshuara, që nga muaji korrik i këtij viti.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Banka Qëndrore nuk i detyron dot bankat e nivelit të dytë të ndryshojnë kostot e komisioneve.
Kështu, vlera më e ulët që do duhet të paguajë një biznes në muaj është 200 lekë dhe ajo më e lartë 6 mijë lekë.