Franca është në luftë kundër coronavirus, por ushtria e saj është zënë e papërgatitur për ta përballuar këtë betejë.
Kështu shprehet Dr. Sabrina Ali Benali, mjeke në shërbimin e emergjencave.
“Kemi gjetur një mënyrë për të siguruar maskat, por vetëm këto kemi. Nuk kemi pajisjet e duhura, as depo dezinfektantësh, syze apo këpucët e duhura”.
Ajo thotë se në të njëjtën gjendje ndodhet shumica e stafit mjekësor të Francës.
“Bazuar në dhjetëra e mijëra komente nëpër rrjete sociale, shoh se jemi të gjithë në të njëjtën situatë. Kam dëgjuar nga infermierët, duke përfshirë edhe ato të sektorit privat, se po na thonë shko në luftë i paarmatosur… që të shkojmë në punë me një ngërç në stomak”.
[
cite_header=E di se në mesin e mjekëve është kjo tendenca për të pranuar se jemi heronj por jo unë. Unë nuk jam heroinë. Unë kam frikë.
cite_author=Dr. Sabrina Ali Benali
cite_description=Mjeke në shërbimin e emergjencave
]
Sistemi i shëndetësisë së Francës është në krizë prej muajsh, një pjesë e madhe e bluzave të bardha kanë qenë në grevë për të denoncuar shkurtimet e buxhetit të cilat e kanë çuar gjendjen e spitaleve drejt kolapsit dhe vënë në rrezik jetë njerëzish.
Tani, thotë Dr. Benali, ka mbërritur dita e gjykimit.
Vendimi për të izoluar Francën do të ndihmojë në frenimin e përhapjes së virusit, thotë ajo por nga ana tjetër pohon se ishte një vendim që duhej marrë shumë më parë.
“Masat janë marrë 2 javë me vonesë. Ne kemi qenë duke e pritur këtë. Kërkonim që shkollat të mbylleshin shumë më herët dhe vetëm tani të bëhej izolimi”.
Ajo thotë se fundi i kësaj lufte është ende larg.
“Më duhet t’i kërkoj bashkëshortit që të më blejë qese mbeturinash në mënyrë që të improvizoj bluza një-përdorimshe,” thotë Dr. Sabrina Ali Benali. “Kjo është gjendje mjaft alarmante, shteti i shtatë më i fuqishëm në botë është katandisur kështu”.
Kur të kapitullojë lufta, mjekët francezë thonë se shpresojnë të shpallin fitoren ku përfshihet dhe pajisja me armatimet e duhura për herën tjetër kur të godasë kriza.