Largimi i 40 % të gjyqtarëve të Apelit nga procesi i vetingut dhe dorëheqjet e shumë të tjerëve kanë futur në kolaps këto gjykata. Zgjidhjen e këtij ngërçi, Këshilli i Lartë Gjyqësor e kërkon përmes ndryshimit të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ky institucion i është drejtuar me një letër Qeverisë, Parlamentit, Komisionit të Ligjeve dhe misioneve të huaja që asistojnë sistemin e drejtësisë në vend, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Letra mban datën 31 dhjetor 2019 por ende edhe sot nuk ka një zgjidhje për këtë problematikë.
KLGJ në kërkesën e saj është e qartë pasi kërkon ndryshimin e ligjit për statusit e gjyqtarit dhe prokurorit si e vetmja zgjidhje. Në fakt ky ligj u ndryshua vetëm pak kohë më parë, duke i shtuar kompetencat Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, si dhe duke kufizuar kohën e betimit të magjistratëve te Presidenti, në 10 ditë.
Në letrën e saj, KLGJ thekson se situata mund të vështirësohet akoma më shumë në Gjykatat e Apelit. Kjo për faktin se shume gjyqtarë do përballen me vetingun dhe pjesa me e madhe prej tyre sipas ILDKPI-së kanë problem me pasurinë dhe rrezikojnë të shkarkohen.
Në vështirësi janë të gjitha gjykatat e apelit të rretheve dhe Apeli i Gjykatës së Posaçme. Aktualisht në apele ushtrojnë detyrën 61 gjyqtarë nga 99 që ishin para se të fillonte vetingu. Thuajse asnjë prej këtyre gjyqtarëve nuk është zëvendësuar, kjo edhe për shkak se shumica e gjyqtarëve të shkallëve të para nuk plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e apeleve.
Në Gjykatën e e Posaçme të Apelit procesi që rrezikon me shumë është ai ndaj Emilajno Shullazit. Edhe sot seanca në ngarkim të tij u shty për shkak se KLGJ nuk jep dot një përgjigje ligjore nëse dy nga gjyqtarët e trupës janë gjyqtarë specialë.
Prej më shumë se një viti procesi në ngarkim të Emiliano Shullazit ka ngecur në Apel. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi Shullazin me 14 vite burg, ndërsa për grupin vendosi në total 55 vite burg në lidhje me akuzat për grup të strukturuar kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Kjo dosje, e cila është shtyrë disa herë rresht ndodhet tashmë në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.