Të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë nuk do ta paguajnë qiranë për muajt prill dhe maj.
Qeveria ka ndryshuar aktin normativ për pagesën e qirave, ku parashikohet se përfitues të kësaj nisme nuk do të jenë më vetëm bizneset që janë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre për shkak të masave shtrënguese, por të gjithë sipërmarrësit të cilët kanë një xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë dhe që kanë një kontratë qiraje të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë.
Konkretisht në aktin normativ është parashikuar se “të gjithë qiramarrësit, persona fizikë apo juridikë, me të ardhura deri në katërmbëdhjetë milionë lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, pavarësisht nëse e kanë të lejuar apo të ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID-19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.”
Qiratë e këtyre dy muajve përfituesit do të mund ta shlyejnë në mënyrë proporcionale në periudhën tjetër kohore të vitit.