Emiliano Shullazi duhet të deklarojë burimin e të ardhurave nga paraburgimi, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për grup kriminal dhe shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.
Në 2018-n Shullazi u dënua me 14 vite burg për akuzën se në bashkëpunim me anëtarët e bandës së tij ka kanosur duke i marrë pasurinë dy biznesmenëve, Ylvi Beqja dhe Jani Zaka.
Por avokati i tij, Vladimir Meçe pas deklaratës së OFL është shprehur se ky është thjesht një show. Sipas Meçes, pasuria e klientit të tij ka kaluar në sitën e ligjit anti-mafia dhe nuk ka rezultuar e paligjshme, megjithatë brenda afatit Shullazi do t’i dorëzojë formularin OFL-së.
Një emër tjetër që duhet t’i përgjigjet pyetjeve të OFL-së është edhe Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, i cili u arrestua në 2019-n si autori kryesor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali, por disa muaj më pas u lirua nga Gjykata e Apelit me argumentin se nuk kishte prova që ta implikonin.
Në vitin 2006 Cukali është dënuar me 10 vite burg për rrëmbim personi, ndërsa në 2016-n u arrestua si pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës, duke u liruar një vit më pas me argumentin se vuan nga probleme shëndetësore.
OFL, që prej nisjes së operacionit e deri sot, u ka dërguar kërkesë për vetëdeklarim të pasurisë 13 personave, si dhe ka sekuestruar: një vilë, një karburant, 6 banesa, 3 automjete dhe 1900 m2 truall, arë
Ndërkohë, një ditë pas arrestimit me pistoletë pranë selisë së Partisë Socialiste, ndaj Vladimir Gjutës policia e Tiranës ka nisur edhe hetimin pasuror.
Pas kontrollit edhe në banesë atij iu gjetën 121 mijë euro, 27 mijë dollarë, 22 mijë paund dhe 660 mijë lekë të cilat i janë sekuestruar së bashku me një automjet të blinduar Audi A8, me të cilin qarkullonte.