English

Si arriti Macron të bllokojë hapjen e negociatave, me teorinë e reformimit të BE

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

“Si t’ua shpjegoj unë qytetarëve të mi që vendi i dytë për nga numri i azilantëve është Shqipëria, që aty çdo gjë shkon shumë mirë dhe ne do të hapim negociatat e anëtarësimit në BE?  Si t’ua shpjegoj njerëzve që ka një problem? Unë se bëj dot këtë”.

- Advertisement -

Me këtë deklaratë në krah të kancelares Merkel në samitin e tetorit, Emmanuel Macron i vuri kapak shpresës së Shqipërisë për hapjen e negociatave për të tretin vit radhazi. Por jo vetëm Shqipërisë. Vendi tjetër i penalizuar ishte Maqedonia e Veriut që vinte pas sakrificave të mëdha që përfshinin dhe ndryshime në Kushtetutë për ndërrimin e emrit të Republikës. Dhe më shumë së kaq. Procesi i zgjerimit në Ballkan hyri ne një spirale bllokimi që shumë skeptikë të BE-së iu dha ushqim për të justifikuar qëndrimet populiste në disa vende anëtare, që prej vitesh  përdorin Brukselin për interesa të politikës së brendshme. 

Të tjerë, mbështetës së idesë se zgjerimi i BE në Ballkan i jep stabilitet dhe e bën më konkurruese BE-në nuk e fshehën zhgënjimin nga vendimi imponues i Macron. 

Këshilli Evropian në vitin 2019 dështoi të merrte një vendim për vendet që aspirojnë për t’u anëtarësuar, sepse Franca vendosi të çojë përpara axhendën e saj për reformimin e Bashkimit Europian dhe më pas të flitet për zgjerimin. 

Ky vendim i Macron, i la të kënaqur edhe vende si Holanda dhe Danimarka, me rezerva serioze për mos hapjen e negociatave që pritën Presidentin francez t’i dilte për zot bllokimit.  Por vendimi la të pakënaqur pjesën më të madhe të drejtuesve të Bashkimit Europian, kancelaren Merkel, Presidentin e Komisionit Juncker, Komisionerin Hahn. Vetë shqiptarët e rritën besimin në komentet dixhitale te teoritë e mos përkrahjes historike të Francës ndaj shqiptarëve. 

Sikur të mos mjaftonte akulli që hodhi mbi kokat e europianëve Presidenti Macron, shqiptarët në shtëpinë e tyre kishin ngricë politike që ishte përshkallëzuar nga shkurti kur opozita vetëdogji mandatet e deri tek protestat, zgjedhjet e 30 qershorit pa pjesëmarrjen e asaj që u mbiquajt opozitë jo parlamentare dhe një përplasje mes maxhorancës socialiste dhe Presidentit Meta. 

Këto ngjarje dhe pamje televizive që transmetoheshin nga Tirana nuk e ndihmuan pozicionin e Shqipërisë në raport me kritikët europianë por nga ana tjetër, rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave pa kushte ishte një ogur i mirë për vendimin e tetorit.

Megjithatë Europa që nuk ka gjetur ende paqe me Brexit, po përpiqen të mbante ndezur zjarrin e zgjerimit me rajonin e vendeve problematike të tij. 

Berlini përmes një lëvizje të Angela Merkel brenda Budenstagut zgjodhi të mos thoshte “jo” për negociatat, por artikuloi një “po” thuajse të pamundur. Shqipërisë ju vendosën 9 kushte për të plotësuar dhe lidheshin me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si dhe reforma zgjedhore dhe ndëshkimi i personave që kanë kryer krime zgjedhore. Pikat e saj ishin: 

1. Ndërtimi dhe nisja nga puna e SPAK (ky kusht u plotësua në 19 dhjetor 2019)

2.Ndërtimi dhe nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese (ende e paplotësuar)

3.Plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë  (e paplotësuar ashtu si dhe pikat e tjera të listuara)

4.Nisja e proceseve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të rrëzuar nga Vettingu

5.Reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj

6.Dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave

7.Bilance të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

8.Reforma në administratë

9.Të sqarohet legjitimiteti i zgjedhjeve lokale

Ndërkohë Bashkimi Europian dhe organet e tij u vunë përpara fjalës së tyre të pambajtur dhe më shumë se kaq, besueshmëria e Bashkimit Europian po vihej në pikëpyetje duke bërë real rrezikun e ndikimit të aktorëve të tjerë në Ballkan si Rusia dhe Kina. Më shumë se për Shqipërinë, problemi ishte tek Maqedonia e Veriut ku historiku i ndikimit rus është i provuar sipas analistëve. Për këtë, si rrallë herë vetë liderët në ikje të Bashkimit Europian shprehën hapur zhgënjimin ndaj Macron në deklarata të njëpasnjëshme. Me kërkesën për të mos hequr dorë nga ëndrra europiane, ish Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk mori përsipër gjithë fajin e moshapjes së negociatave.

“Liderët diskutuan zgjerimin. Shumica e anëtarëve donin hapjen e negociatave me shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut. Por fatkeqësisht vendimi të tilla kërkojnë unanimitet dhe nuk patëm diçka të tillë. Uroj që BE-ja do ti kthehet kësaj teme para samitit të Zagrebit, që do të mbahet në Maj të 2020. Më lini të jem shumë i qartë në lidhje me këtë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhen fajësuar në lidhje me këtë dhe raportet e komisionit tregojnë se këto dy vende kanë bërë çdo gjë që u është kërkuar për të bërë,” – këto ishin fjalët e Donald Tusk, presidentit të Këshillit Evropian.

Akoma më i ashpër ishte Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker kur tha “Ishte një gabim historik, një gabim historik, dhe si i tillë do të mbetet në memorien tonë si një gabim historik.”

Zhgënjim për këtë vendim shprehu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili reagoi pas vendimit.

keshilli

REAGIMI I DASH

Njësoj si me liderët në ikje, edhe liderët në ardhje të Bashkimit Europianë shprehën mbështetje për Shqipërinë dhe sytë i hodhën nga samiti i Zagrebit. 

Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen në të njëjtën frymë si Tusk u kërkoi liderëve të vazhdonin përpjekjet e tyre për të ardhmen europiane.

Po ashtu edhe komisioneri i ri për zgjerimin Olivier Varhelyi e ka hedhur shikimin drejt samitit të radhës për të korrigjuar sipas tij, gabimin e bërë në tetor.

Edhe ministri i jashtëm italian, Luigi Di Maio, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania theksoi mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë.

“Sikurse e thamë edhe në mbledhjen e kaluar të Këshillit, ishte një gabim i tmerrshëm, një gabim politik. Gjithashtu siç e ka përmendur edhe kryeministri Konte në përfundim të takimit, ishte një gabim historik për dy arsye. Së pari, BE-ja duhet të punojë për të pasur një strategji globale, e cila nënkupton të qenit një aktor global. Për ta bërë këtë, duhet të rriten mundësitë e të qenit më i  madh. Së dyti, ishte një gabim sepse shumica e vendeve të cilat kërkuan anëtarësim, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, bënë shumë punë në reformimin  e strukturës institucionale të  vendit, ndryshuan shumë aspekte shoqërore dhe ata e meritonin hapjen e negociatave për anëtarësim  në BE”, – tha ai.

Me gjithë konsensusin e qëndrimeve nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për mos-hapjen e negociatave, në Shqipëri u prit ashtu siç pritet gjithmonë një vendim i tillë. Qeveria dhe kryeministri Rama u shpreh se Bashkimi Europian po kalon një periudhë të vështirë dhe kjo është arsyeja e mbylljes së dyerve për Ballkanin ndërsa lideri i opozitës Lulzim Basha bëri vetëm një fajtor të madh, kryeministrin Rama.

“Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të bashkimit europian. Dhe kërkon një transformim të procesit. Është vërtet e tepërt kur i shtohen bishta, kësaj që është thelbësore,” komentoi Rama.

“Presidenti Makron dëshiron të verifikojë të vërtetat dhe gënjeshtrat e Ballkanit. Demokratët që shiten si autokratë, trafikantët e dogës që shiten si politikanë të ndershëm. Dhe sillen poshtë e lartë në Bruksel me çanta në duar për të blerë vota, po si blejnë dot,” reagoi Basha.

Ndërkohë që për presidentin Ilir Meta, qeveria duhej të vepronte njësoj si ajo në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri të dorëhiqej dhe vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Për shkak të gjithë këtyre reagimeve, çështja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u shndërrua në temë kryesore për disa ditë në Evropë ku media prestigjoze i kushtuan vëmendje të plotë. Euronews në të 12 gjuhët e tij e mbuloi gjerësisht çështjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pyetja që u shtrua ishte a ka të drejtë Macron apo fajin e ka Macron?

“Sigurisht kemi nevojë për statistika më të mira. Ne duhet të luftojmë korrupsionin dhe krimin por kjo kërkon kohë dhe ajo që po ndodh është se BE po vonon dhe po e humbasin momentin, mundësinë e artë,” tha drejtorja e lajmeve të Euronews Albania Ilva Tare.

Ndërkohë që në Shqipëri diskutohej për lënie përgjegjësie në Maqedoninë e Veriut, Zaev lajmëroi dorëheqjen dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme në 12 prill 2020. Ekskluzivisht për Euronews Albania, Zoran Zaev shprehu zhgënjimin për këtë vendim.

“Këshilli Europian bëri me të vërtet një gabim historik, jo vetëm për ne, për Ballkanin perëndimor por edhe për vetë BE-në. Jam shumë i lumtur që ata po flasin dhe diskutojnë në lidhje me të. Tani duket se ata kanë përgatitur një dokument të ri për anëtarësimin, shtetet anëtare e kanë  për detyrë këtë të krijojnë rregullore të reja dhe të diskutojnë mbi to, e kanë të nevojshme këtë gjë .Njëra linjë është kjo e reformimit të procesit të anëtarësimit dhe linja tjetër paralele është ajo e hapjes së negociatave për  anëtarësim të vendeve tona, këto procese nuk janë të varura nga njëra tjetra . Ata mund të vendosin  çfarë kushtesh të duan, me mund t’i trajtojmë ato, por kjo nuk është e lidhur me datën e fillimit të negociatave me ne,” u shpreh Zaev.

Pas valës së reagimeve negative, Macron prezantoi një ide me të qartë në nëntor se çfarë nënkuptonte ai me reformim të Bashkimit Europian duke e paraqitur në 4 pika kryesore:

  1. Anëtarësim gradual
  2. Kushte të forta
  3. Përfitime të prekshme financiare
  4. Kthim mbrapsh nëse ka regres
  1. Së pari, anëtarësim gradual, që do të thotë se shtetet nuk do të fillojnë zbatimin e të gjithë kapitujve në të njëjtën kohë, por në momentin që kemi realizimin e njërit, do kalohet tek të tjerët.  Për çdo fazë të përmbushur shtetet kandidatë do të kenë mundësi të marrin pjesë në strukturën përkatëse të BE-së.  Duhet mbajtur gjithmonë në konsideratë që duhet të ketë një balancë ndërmjet aftësisë së shteteve anëtare për të marrë pjesë në një politikë dhe përfitimit që do të marrin nga zbatimi I saj. 
  2. Së dyti duhet te vendosim kushte strikte dhe të përcaktuara qartë, është shumë e rëndësishme që të mos ketë hapësira të mëdha me anë të të cilave mund të luhet. Duhet siguruar implementimi I politikave deri në detajet më të vogla. 
  3. Së treti në mënyrë që vendet kandidatë ta ndiejnë veten të vlerësuara duhet të ketë përfitime të prekshme, si për shembull rritje të mbështetjes financiare për çdo reformë të plotësuar si duhet. 
  4. Së katërti, duhet një qasje e re për rastet kur vendi kandidat ka pasur regres në reformat të caktuara, të cilat shpeshherë mund të çojnë edhe në heqjen e benefitit të fituar. 

Ndërkohë Macron insiston në fuqizimin e kontrollit nga ana e bashkimit europian gjatë gjithë procesit, gjë e cila mund të realizohet me fuqizimin e institucioneve të tij. Franca beson se nëse arrihet reformimi i bashkimit europian do të jetë më e lehtë edhe për vendet kandidate të kapërcejnë të gjithë procesin. 

Nga ana tjetër, nëntë shtete të Bashkimit Europian i paraqitën pas Francës një dokument jo zyrtar te cilin Euronews Albania e siguroi ekskluzivisht me anë të të cilit e shprehnin edhe njëherë rëndësinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke e parë atë si pjesë të vetë gjenezës së BE-së, dhe duke sjellë propozime të kundërta me ato të Francës për ta përshpejtuar dhe bërë të prekshëm integrimin. 

Një qasje për anëtarësim duhet të bazohet në konsensusin ekzistues për zgjerimin, mbështetjen e reformave dhe përparimin socio-ekonomik, duke ruajtur parimet bazë si:

  1. Qëllimi përfundimtar të jetë anëtarësimi i plotë në BE
  2. Qasje e bazuar në meritë
  3. Kushtëzim i rreptë, por i drejtë
  4. Nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë

BE, duhet të pranojë anëtarë të rinj pa dobësuar strukturat e saj, sidoqoftë nuk duhet lejuar që reformimi i brendshëm i BE-së të pengojë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Udhëheqësit europianë kanë lëshuar një sërë propozimesh për përmirësimin e situatës dhe arritjen e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila sipas tyre kërkohet të ndodhë në samitin e marsit të vitit 2020.

Në samitin e Zagrebit në maj, e sigurt është që liderët e rinj të Bashkimit Europian do të kërkojnë hapjen e negociatave po ashtu edhe Shqipëria dhe qeveria e paszgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut. Ajo që nuk është e sigurtë është vendosmëria e Francës për të thënë sërish Jo, dy vendeve ballkanike që e shohin Bashkimin Europian si një rrugë më të sigurt për të forcuar demokracitë e tyre, të përforcojnë shtetin ligjor dhe të përparojnë ekonomikisht. Dekada e re nuk do të jetë e vështirë vetëm për Ballkanin dhe orientimin europian të demokracive të brishta, por sidomos për vetë Bashkimin Europian, egove të reja dhe liderëve të stërvitur me metaforën e shkopit dhe karotës, që me shumë gjasë do duhet të zëvendësohet nga ndonjë idiomë e re pak më kreative dhe më shumë realiste. 

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?