Konferenca e donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” u organizua nga Komisioni Evropian dhe mblodhi në Bruksel përfaqësues të lartë të shteteve anëtare të BE-së, institucione financiare, politike si dhe vende të tjera që në një mënyrë apo tjetër u angazhuan për ndihmë ndaj Shqipërisë.
Qeveria e Tiranës u përfaqësua në nivel të lartë nga kryeministri Edi Rama dhe një seleksion ministrash me përgjegjësi direkte në përpilimin e faturës dhe ekzekutimin e procesit të rindërtimit.
Në përfundim, Shqipërisë iu akordua një shumë rekord prej 1,15 miliardë eurosh, e cila i tejkaloi pritshmëritë më entuziaste të vetë qeverisë.
Kryeministri Rama falënderoi në mënyrë të posaçme presidenten e Komisionit Europian Ursula von Der Leyen jo vetëm si organizatore e konferencës, por edhe si përfaqësuese e një prej institucioneve me kontributin më të madh në konferencë.
Pas përfundimit të konferencës së datës 17 shkurt, për institucionet e Shqipërisë hapet tani një sfidë e re: ajo e adresimit me përpikëri dhe ndershmëri e parave të ofruara me bujari nga mbështetësit e saj.
Shqipëria e përkeqësoi renditjen e saj në Raportin vjetor të Transparency International duke rënë me 7 vende, qeveria shqiptare tani do të duhet të bëjë llogaritë me një monitorim të rreptë ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për ndoshta sasinë më të madhe që një qeveri shqiptare ka arritur të sigurojë ndonjëherë brenda një kohe kaq të shkurtër, nga një angazhim kaq i madh ndërkombëtar.