Eksperti i energjisë Eduard Elezi, në një intervistë për Euronews Albania është shprehur se autoritetet e vendit tonë kanë shpërdoruar kaskadën e Drinit, gjë e cila sipas tij ka bërë që të ulet niveli i energjisë elektrike.fier
Elezi theksoi se në vendin tonë këtë vit nuk ka pasur thatësira dhe se liqeni i Fierzës ka qenë në kuotat maksimale.
“Nuk ka thatësirë, ka pasur reshje. Fierza ka qenë në kuota maksimale dhe çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që sasitë e energjisë janë marrë shumë të vogla që nuk plotësonin nevojat e atyre që quhet humbje të energjisë elektrike. Është blerë shumë pak sasi energjie dhe është prodhuar me kaskadën e Drinit në mënyrë të papërgjegjshme duke ulur nivelin e energjisë elektrike. Paraja është harxhuar shumë më shumë dhe sasitë e energjisë kanë qenë shumë të vogla”, u shpreh ai.
Sipas tij Enti Rregullator duhet të shqyrtojë çdo kosto që shkon për blerjen e energjisë, pasi paratë nuk vijnë nga shteti shqiptar, por nga konsumatori.
“Paraja nuk vjen nga shteti shqiptar por nga konsumatori direkt. Është një ent rregullator që duhet të shqyrtojë çdo kosto. Enti rregullator duhet te kishte funksionuar gjatë gjithë kohës që korporata e energjisë të kishte një menaxhim më të mirë sepse çdo kosto i shkarkohet qytetarit shqiptar”, përfundoi ai.