Reforma e pensioneve e nisur në vitin 2014, e ka çuar moshën e pensioneve për burrat në 65 vjeç dhe për gratë në 60 vjeç. Në vitin 2018 skemës iu shtuan 14.500 pensioniste të rinj, ndërsa në vitin 2019 edhe 15 mijë pensionistë më shumë.
Por rritja e shpejtë e numrit të personave që kapin moshën ka thelluar deficitin e skemës se pensioneve, ku vitin e kaluar deficiti është rritur me 2.1 për qind. Vlera nominale e deficitit të kësaj skeme qëndron mbi vlerën e 40 miliardë lekëve ose 300 milionë eurove.
Skema e pensioneve përballohet nga buxheti i shtetit, duke u bërë një barrë përherë e më e rëndë për të, përpos trajektores rritëse të vlerës së kontributeve shoqërore.
Shkaqet e thellimit të deficitit janë emigracioni i lartë i forcave të punës, numri i ulët i kontribuuesve, prej informalitetit dhe mosdeklarimit të pagës reale; dhe mplakja e popullatës.
Skema e pensioneve shtetërore nuk ka qenë kurrë më pa të ardhme se tani dhe në rrezik falimentimi. Alternativat private do të ishin një mundësi për të shmangur problematikë dhe borxhe të thelluara buxhetore. Tregu i pensioneve private dhe vullnetare ekziston, por ende është shume pak i zhvilluar.