Shqipëri ende nuk është konfirmuar asnjë rast i coronavirus, i cili duket se ka gjetur rrugën e tij pothuajse në të gjithë shtetet fqinje. Por, sistemi shëndetësor shqiptar po përgatitet për një skenar kur mund t’i duhet të përballojë deri në 150 raste infektimi me coronavirus. Ministrja Manastirliu ka folur për këtë variant, gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sigurisë. Më herët Kryeministri Rama njoftoi gjithashtu se zona e konvaleshencës në Durrës do të shfrytëzohet si karantinë në rast epidemie.
Duke konsideruar skenarë të shumtë të shpërthimit epidemik të coronavirusit, Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka thënë se Shqipëria është e gatshme të përballojë nevojat e deri 150 të infektuarve.
“Kemi përcaktuar bokset dhe dhomat e izolimit dhe kemi investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në spitalin infektiv, nëse do të kalonim në skenarin e dytë që do të ishte nga 0-150 raste, duke siguruar të gjitha kapacitetet dhe nevojat për raste të rënda, pasi dihet që 5% e rasteve kanë nevojë për suport respirator…”, deklaroi znj. Manastirliu.
Ministrja ka njoftuar gjithashtu se aktualisht janë vënë në dispozicion të gjitha strukturat e shëndetësisë, duke nisur që nga spitali infektiv i cili ka 80 shtretërish dhe një forcë prej 109 mjekësh dhe infermierësh.
Ndër të tjera është njoftuar gjithashtu se vëmendja maksimale e qeverisë shqiptare është mbrojtja e personelit mjekësor, duke alokuar 1 milionë dollarë për rritjen e stokut të masave mbrojtëse personale
“Ndaj sfida jonë ndaj përballjes dhe vëmendja jonë maksimale, e qeverisë shqiptare, është mbi të gjitha mbrojtja e personelit mjekësor, ndaj kemi vënë në dispozicion jo vetëm të gjithë stokun për sa i përket masave të mbrojtjes personale, por gjithashtu kemi alokuar 1 milionë dollarë për rritjen e stokut në funksion të mbrojtjes së personelit mjekësor i cili do të jetë dhe është në vijën e parë të gjithë punës”, u shpreh ministrja.
Frika e një përhapjeje të mundshme të coronavirusit në Shqipëri ka bërë që Qendra Kombëtare e Urgjencave të përballet me një fluks telefonatash. Sipas përgjegjësve të kësaj qendre numri I telefonatave ka shkuar deri në 300 thirrje ditore më shumë se normalja, duke arritur në 1700 thirrje në 24 orë. Ky fluks ka çuar në shtimin e personelit mjekësor me përkatësisht më dy mjekë dhe 2 infermierë më shumë se ditët e zakonshme.
Shumica e qytetarëve telefonojnë për të marrë informacion, ndërsa për ata qytetarë që kanë hyrë së fundmi në Shqipëri qendra ka venë në dispozicion një pyetësor që përmban disa pyetje elementare. Deri më tani janë plotësuar rreth 55 pyetësorë, ku 5 prej tyre kanë qenë të dyshuar për mbartjen e virusit , por fatmirësisht të gjitha kanë rezultuar negative.