Ministri i Financave të Skocisë, Derek Mackay, ka dhënë dorëheqjen pasi një gazetë raportoi se ai i kishte dërguar qindra mesazhe një 16-vjeçari në rrjetet sociale.
Të enjten, Mackay dha dorëheqjen, vetëm disa orë përpara se të prezantonte buxhetin vjetor, duke thënë se “ishte sjellë si një i marrë”.
Përzgjedhja e fjalëve që ai ka përdorur ka nxitur reagime të ashpra në rrjetet sociale, duke sugjeruar se veprimet e tij nuk duhet të konsiderohen thjesht si marrëzi, por të jashtëligjshme.
Kryeministrja Nicola Sturgeon tha se sjellja e Mackay “nuk arrinte t’i përmbushte standardet e duhura”.
Megjithatë është e paqartë nëse ajo po i referohej standardeve ligjore apo morale.
Gazeta skoceze Sun ishte e para që raportoi se 42-vjeçari Mackay i kishte dërguar një adoleshenti më shumë se 270 mesazhe në Facebook dhe Instagram, duke i bërë komplimente, duke e ftuar në një ndeshje regbi e më pas për darkë.
Një zëdhënës i policisë tha për Euronews: “Nuk kemi marrë ende një kallëzim penal, megjithatë, jemi duke analizuar të dhënat që na janë bërë të mundura nëpërmjet raportimeve në media dhe inkurajojmë këdo që ka informacion të na raportojë”.
Mosha e lejueshme sipas ligjit
Sipas ligjeve të Skocisë, mosha e lejueshme për të kryer marrëdhënie seksualë është 16, pra në këtë rast Mackay nuk e ka shkelur ligjin.
Megjithatë, për persona që mbajnë “poste mirëbesimi”, kryerja e marrëdhënieve seksuale me një person nën moshën 18-vjeç mund të dënohet me burgim të përjetshëm, sipas shërbimit të së dhënave kombëtare për të miturit në Skoci.
Kështu që, për rastin në fjalë pyetja është nëse posti i Mackay e kualifikon atë si një person me pozitë “mirëbesimi”.
Ndikimi politik
Mackay ishte një politikan i spikatur i Partisë Kombëtare të Skocisë. Ai shihej si pasardhës i mundshëm i partisë së kryeministrit Nicola Sturgeon, i cili kërkon pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar, një komb prej 5.5 milion banorësh.
Duke folur nga parlamenti të enjten, Sturgeon pohoi se Mackay ishte pezualluar nga partia deri në përfundimin e hetimeve.