Partia Demokratike ka publikuar një shkresë zyrtare të kompanisë së telefonisë celulare që vërteton se mesazhi i dërguar nga numri i telefonit të Lulzim Bashës në fakt nuk është shkruar nga ai vetë. Dy ditë më parë, ndërsa kryeministri, Edi Rama po jepte në një intervistë televizive, u lexua një SMS që kishte mbërritur në telefonin e drejtueses së emisionit.
Pas hetimeve të kryera nga Vodafone, kompania ka dhënë këtë përgjigje: “SMS-ja e marrë në numrin 06xxxx80 në datë 18.03.2020 në orën 23:00:22 është origijnuar nga një platformë e huaj SMS në internet për dërgimin e SMS-ve, jashtë rrjetit Vodafone, ku në ID-në e dërguesit është vendosur numri 06—-70 dhe nuk rezulton si SMS i vërtetë i dërguar nga numri i mbajtur nga z. Basha”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi pas kësaj ka reaguar duke thënë se, kjo është një “lojë e pisët” me qëllim dëmtimin e imazhit të kreut të opozitës.
“E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën”, shprehet z. Bardhi.