Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit të Partisë Socialiste, Plarent Ndreca dhe15 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera.
Akuzat ndaj tyre lidhen me favorizime dhe shkelje të rënda ligjore gjatë procedurave të prokurimit publik për ndërtimin e disa komisariateve në vitin 2019.
SPAK njoftoi se hetimet zbuluan bashkëpunim e qëllimshëm midis zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera për të favorizuar një grup operatorësh ekonomikë gjatë një tenderi për projektimin e objekteve të Policisë së Shtetit.
Tenderi kishte një vlerë totale prej 54,234,000 lekë (pa TVSH) dhe përfshinte projektimin e katër objekteve policore. Por, për shkak të mungesës së fondeve, kontrata përfundoi duke përfshirë vetëm dy objekte, me një vlerë të reduktuar prej 34,248,000 lekë. Sipas SPAK, ky ndryshim u bë për të favorizuar një fitues të paracaktuar, në kundërshtim me ligjin.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe aktualisht deputet, Plarent Ndreca, është identifikuar nga hetimet si drejtues i këtij procesi të paligjshëm. Në cilësinë e tij si Titullar i Autoritetit Kontraktor, ai ka udhëhequr veprimet për shpalljen fitues të shtetasit Gjon Radovani, pavarësisht se ky i fundit nuk përmbushte kriteret ligjore të tenderit.
Përveç Ndrecës, të akuzuarit e tjerë janë:
Anëtarët e njësisë së prokurimit: Denisa Skënderaj, Lira Kolasi dhe Blendi Kovi.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Lindita Mukaj, Ferdinant Tarazhi, Silva Dauti, Grida Isufi, Deni Klosi dhe Jonarda Qurku.
Anëtarja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave: Julia Hysa.
Zyrtarë të tjerë të përfshirë: Elora Kokalari dhe Aida Shehi.
Gjithashtu, një komision i krijuar për marrjen në dorëzim të projektit, i përbërë nga Emiliano Mehmeti, Klejdi Meço dhe Erand Rrobaçi, akuzohet se ka nënshkruar procesverbale të rreme për të justifikuar dorëzimin e projektit, megjithëse projekti nuk ishte përfunduar.
Dëmi financiar dhe pasoja për shtetin
Nga veprimet e paligjshme të të akuzuarve, shteti shqiptar ka pësuar një dëm financiar prej 34,248,000 lekë, që përbën vlerën e kontratës së miratuar. Megjithatë, kjo shumë nuk është ekzekutuar, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kundërshtuar pagesën, duke evidentuar shkeljet gjatë auditimit të procesit.
LEXONI GJITHASHTU:
- SPAK merr zyrtarisht të pandehur Plarent Ndrecën, prokuroria zbardh akuzën
- PS ‘krah’ Xhaçkës në Kuvend, Ndreca: SPAK nuk ka dyshime për burrin e deputetes