E hëna e 30 marsit, 2020, e ka gjetur botën me 723.700 persona të infektuar me COVID-19, dhe 34.018 të vdekur.
Qeveria spanjolle ka marrë kufizime edhe më të ashpra me shpresën për ta ndaluar përhapjen e coronavirusit COVID-19, ndërkohë që vdekjet arrijnë numër rekord.
Të gjithë punonjësit që nuk kanë detyra thelbësore do të rrinë në shtëpi deri më 9 prill. Kjo është masa më e ashpër e marrë që nga data 14 mars, kur u shpall gjendja e emergjencës.
Vendimi u miratua me një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë këtë të diel, ditë kur numri i vdekjeve arriti një shifër rekord, me 838 viktima.
Në Itali vdekjet dhe infektimet kanë qenë të larta, por me një ulje prej 10 deri në 15% se ditët e tjera, duke dhënë kështu shpresa të reja.
Për ekspertët shëndetësorë, kjo ulje tregon që kufizimet e marra kanë nisur të japin efekt.
Numri total i të infektuarve në Itali ka shkuar në 97.689, ndërsa të vdekurit janë 10.779, niveli më i lartë në të gjithë botën.
Në Britani, kreu i shëndetësisë ka paralajmëruar banorët se mund të duhen gjashtë muaj para se gjërat të kthehen në normalitet. Britani numëron deri tani rreth 20 mijë të infektuar dhe 1231 të vdekur.
Kryeministri anglez, i cili është infektuar edhe vetë nga coronavirusi, tha se gjërat priten të përkeqësohen, para se të bëhen më mirë.
Në SHBA, Presidenti Trump i shtyu masat e distancimit social deri më 30 prill, dhe pse kishte thënë më parë se SHBA-të do t’i ktheheshin normalitetit për pashkë.
SHBA-të janë kthyer tashmë në qendrën botërore të epidemisë, me 143.025 të infektuar dhe 2514 të vdekur.
Lajmet e mira vijnë nga Kina, ku provinca e Hubeit, origjina e coronavirusit, ka hyrë në ditën e gjashtë pa asnjë rast të ri. Megjithatë, Kina rrezikon një valë të dytë përhapjeje nga infeksionet që mund të vijnë nga jashtë.
Në të gjithë botën janë shtuar dhe ashpërsuar kufizimet e lëvizjeve. Më shumë se gjysma e popullsisë është duke qëndruar në shtëpi, gjë që e ka ngadalësuar ekonominë në pikën më kritike.
Shumë vende po diskutojnë dhe po vënë në zbatim “ekonominë e luftës”, ku qeveritë marrin përsipër të shpëtojnë bizneset dhe firmat duke u ofruar kredi ose duke u blerë aksione.
SHBA-të kanë shpallur një plan financimi prej 2 trilionë dollarësh, ndërsa BE me 750 miliardë euro. Edhe OKB ka nisur një plan prej 2 miliardë dollarësh për të ndihmuar vendet e varfra, ku kërcënimi i virusit do të ishte edhe më i madh.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i bën thirrje botës të tregojë solidaritet, qetësi, ndërkohë që cilësojnë se krijimi i vaksinës është ende 12 ose 18 muaj larg.