Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez fitoi mbështetjen e deputetëve për të formuar një qeveri me koalicion të majtë.
Votimi i jep fund një ngërçi politik që zgjat prej rreth një viti. Ashtu siç pritej, rezultati i votimit ishte, shumë i ngushtë me 167 vota pro koalicionit dhe 165 kundër.
Kryeministri në detyrë fitoi kryesisht falë 18 abstenimeve.
Partia më e madhe separatiste katalonjase premtoi se do të abstenonte, në këmbim të bisedimeve për krahinën autonome në të ardhmen.
Sánchez dhe Pablo Iglesias, që drejton partinë e të majtës radikale Unidas Podemos (Të Bashkuar Ne Mundemi), kanë ritheksuar qëllimet e tyre për të formuar qeverinë e parë me koalicion në Spanjë.
Kjo është qeveria e parë me koalicion në Spanjë, që nga tranzicioni i saj në demokraci pas regjimit të Francisco Francos.
Pas javë të tëra negociatash, që nga zgjedhjet e fundit të nëntorit, Sanchez ka mbledhur mbështetjen e mjaftueshme – ose premtimet për abstenim – nga në grup i vogël partish rajonale për të marrë pushtetin.
Kërkesa katalanase për pavarësi e ka çuar Spanjën drejt krizës më serioze politike prej dekadash.
Mbreti Felipe VI i kërkoi Sanchez të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të 10 nëntorit, kur socialistët morën shumicën e votave, por fituan vetëm 120 vende në Dhomën e Deputetëve prej 350 vendesh.
Sanchez dhe lideri i Podemos Pablo Iglesias thanë se duan të rrisin pagat minimale, tatimin mbi të ardhurat për ata që fitojnë më shumë si dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe emigrantëve.
Në vitet e fundit, në politikën spanjolle kanë sunduar socialistët dhe Partia Popullore. Por kjo nisi të ndryshojë pas krizës financiare të kohëve të fundit në Europë, e cila i dha jetë partive të reja politike, duke përfshirë dhe Unidas Podemos dhe së fundmi edhe partia e ekstremit të djathtë Vox, tashmë grupi i tretë parlamentar më i madh në Spanjë.
Krahas bisedimeve me separatistët katalanas, sfida e parë e Sanchez do të jetë miratimi I buxhetit të 2020-s në parlament.