Të mërkurën, në aeroportin e Stambollit, Sabiha Gokcen, një avion ka rrëshqitur në pistë duke u përplasur me forcë dhe duke ndarë në disa pjesë. Pasagjerët janë parë teksa dilnin nëpërmjet të çarave të avionit dhe autoritetet pohuan se disa prej tyre janë lënduar.
Në disa pamje filmike të transmetuara nga mediat shfaqen qartazi dëmet nga përplasja ndërsa trupi i avionit duket se është ndarë në tre pjesë. Televizioni NTV raportoi se avioni mori flakë pasi rrëshqiti mbi pistë, por konfirmoi se zjarri është shuar.
Sipas NTV-së, avioni i përket kompanisë “low-cost” Pegasus dhe vinte nga Izmiri. Ministria e Transporteve tha se kishte 177 pasagjerë në bord, por se nuk ka viktima, pavarësisht uljes së ashpër në pistë.
Sipas faqes së web-it, Flightradar24, avioni ishte i modelit Boeing 737.
NTV citoi ministrin e Transporteve, Mehmet Cahit Turhan, kur tha se ka shumë pasagjerë të plagosur. Ai tha se ekipi i emergjencës është ende duke evakuuar pasagjerë nga rrënojat, por se shumica e tyre ia kanë dalë të shpëtojnë vetë.
Aeroporti u mbyll dhe fluturimet janë transferuar drejt aeroportit kryesor të Stambollit, tha ministri Turhan.