Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, e njohur gjithashtu si SPAK, nis sot marrjen e dëshmive në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Një ndër personat që u pyet ishte mjeku Artan Koni, i cili në dhjetor të 2019-s, përmes një video-mesazhi denoncoi se para koncesionit kostoja e setit kirurgjikal kushtonte vetëm 2.4 euro dhe kostot nuk ndërhynin në numrin e operacioneve, sot pas koncesionit ne paguajmë mesatarisht 190 euro për set kirurgjikal.
Padia për zyrtarët shtetërorë, që nënshkruan kontratën e sterilizimit, u dorëzua në SPAK nga Nisma “Thurje” më 23 dhjetor, duke u shënuar si padia e parë që i adresohej këtij institucioni të drejtësisë së re.
Sipas informacioneve, ditën e sotme SPAK-u do të marrë në pyetje një numër zyrtarësh të përmendur në këtë padi.
Në 2015-n, qeveria vendosi të japë me koncesion sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit.
Kjo u shoqërua me shumë debate pasi pas tenderit me vlerë 100 milionë USD qëndronte një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi, e cila kishte një kapital prej 1 mijë eurosh dhe asnjë përvojë mjekësore.
Mjeku urolog, Artan Koni foli për mediat pasi u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e “Sterilizimit”. Ai tha se deklarata e tij para SPAK-ut kishte për qëllim që të ndihmonte prokurorët për të kuptuar faktin se si bëhen përllogaritjet e kostove në fushën e mjekësisë.
“Ishte një deklaratë për të ndihmuar prokurorët se si bëhet llogaritja në fushën e mjekësisë, për sa i përket sterilizimit.
Mbetet tani që ta vlerësojë prokuroria, a ka baza dhe a është me të vërtetë një koncesion korruptiv dhe cilët janë fajtorët, nëse ka.
“Baza kryesore është llogaria, janë kostot ekonomike, një koncesion për të cilin paguajmë 17 milionë euro në vit, por ndërkohë që për një set kirurgjikal neve kostoja na del 2.4 euro dhe ne koncesionit i paguajmë 190 euro”-tha mjeku urolog.
Kjo është padia e parë që ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme. Ajo u depozitua në Prokurori në datën 23 dhjetor të 2019, tre ditë pas themelimit të SPAK-ut.
Sipas asaj që raporton gazetari i Euronews Albania, Xhevahir Zhabina, hetimi i SPAK-ut për koncesionin e “Sterilizimit” pritet të kalojë në “lupë” një numër të madh dokumentesh.