Personi që u qëllua për vdekje nga policia pasi kishte sulmuar me thikë dy persona në jug të Londrës është identifikuar si Sudesh Aman, një ish-i dënuar i liruar së fundmi pasi kishte kryer një dënim për terrorizëm.
Sipas autoriteteve britanike të anti-terrorizmit, Aman ishte burgosur në moshën 18-vjeçare në vitin 2018, pasi kishte pranuar 13 akuza, përfshirë ato të shpërndarjes së materialeve terroriste dhe mbledhjes së informacionit për kryerjen e sulmeve.
Ngjarja ndodhi ditën e diel, në një zonë të mbushur me dyqane, kafene dhe një teatër në jug të kryeqytetit britanik. Dëshmitarët deklaruan se kishin dëgjuar tre të shtëna dhe kishin parë një person të shtrirë në tokë, teksa policia i afrohej dhe u bërtiste të pranishmëve që të largoheshin.
Aman, 20 vjeç, në momentin e sulmit mbante veshur një jelek të rremë me eksploziv. Britania ka pasur precedentë të shumtë të këtij lloji në vitet e fundit.
Në nëntor 2 persona u vranë kur një i dënuar për terrorizëm kreu një sulm me thikë në qendër të Londrës.