Partizani vijon të kryesojë kampionatin shqiptar edhe pas javës së 16-të me një diferencë të ngushtë pikësh nga Dinamo, e cila po kalon një formë të jashtëzakonshme. Të enjten u luajtën dy sfidat përmbyllëse të kësaj jave, ku bien në sy dy barazime: Partizani-Egnatia 1-1 dhe Skënderbeu-Tirana me rrjeta të paprekura. Në arenën e “demave”, vendasit shënuan të parët me Christian Mba, por në minutat e fundit rrogozhinasit gjetën golin e barazimit me Bakayoko, i cili realizoi me një roveshatë.
Rezultati 1-1 bëri që skuadrat të ndajnë pikët mes tyre, teksa e njëjta gjë ndodhi në Korçë. Skënderbeu, në ndeshjen e parë nën drejtimin e Ernest Gjokës, nuk shkoi më tepër se një barazim pa gola. Edhe pse rastet ishin të shumta në të dyja kampet, lojtarët u treguan të pasaktë.
Më herët, Vllaznia u mposht nga Dinamo në shtëpi, një duel që u mbyll me rezultatin 2-3. Ndërkohë, Elbasani fitoi ndaj Bylisit me përmbysje 3-1, ndërsa ndeshja Laçi-Teuta përfundoi pa fitues.
Sa i përket renditjes, kryeson Partizani me 29 pikë, i ndjekur nga Dinamo me 27, po aq sa Egnatia. Klasifikimi vazhdon me Vllazninë në vendin e katërt, e më pas Elbasanin, Teutën, Tiranën, Laçin, Skënderbeun dhe Bylisin në vendin e fundit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ivan Gvozdenoviç largohet pas 2 vitesh nga drejtimi i Skënderbeut
- Ernest Gjoka trajneri i ri i Skënderbeut