Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kërkuar me anë të një video-mesazhi të shpërndarë në Facebook, që profesionistëve të lirë tu kthehen parë të cilat sipas saj u janë marrë me anë të një takse antikushtetuese.
Ajo shprehet se lidhur me këtë taksim Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tyre dhe ka kritikuar qeverinë duke u shprehur se kjo e fundit duhet të përmbushë detyrimet ndaj kësaj shtrese që përbën mbi 30 mijë profesionistë të lirë në vend.
“Profesionistët e lirë punojnë çdo ditë në kushte të vështira dhe meritojnë respektin që u është mohuar nga qeveria. Ne si Partia Demokratike e kemi mbështetur këtë betejë që në fillimet e saj dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre deri kur të marrin çdo qindarkë që u është marrë padrejtësisht,” tha Tabaku.
Tabaku gjithashtu bëri thirrje për miratimin e propozimit të Partisë Demokratike dorëzuar nga ajo dhe kryetari i grupit parlamentar Bardhi që rregullon përfundimisht këtë situatë.
Ajo theksoi se përveçse mund të përdoren vendime të Këshillit të Ministrave apo udhëzime të Ministrit të Financave për kthimin e parave, e rëndësishme është që të mos vonohet më tej zgjidhja pasi sipas saj kjo është një padrejtësi ekonomike që rëndon mbi profesionistët e lirë.
“Nëse qeveria nuk dëshiron të pranojë propozimin tonë, atëherë le të bëjë një propozim tjetër, por të mos e vonojë më tej këtë çështje të rëndësishme për jetën dhe ekonominë e mijëra qytetarëve.”
LEXONI GJITHASHTU:
- Inflacioni zbret në 1.9%, u rrit çmimi i mjeteve shkollore, ra çmimi i makinave
- “Të kthehen 13 milionë eurot e profesionistëve të lirë”, Tabaku kërkon interpelancë