Këtë të enjte, presidenti Vuçiç pret në një takim zyrtar kryeministrin Edi Rama dhe homologun e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ku çështjet ekonomike pritet të jenë në thelb të bisedimeve mes tyre e kryesisht krijimi i një tregu të përbashkët doganor. Por, një takim i tillë duket se nuk është mirëpritur nga Kosova.
Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Prishtina, e cila e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet evropiane, që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, në një intervistë për mediat është shprehur se nuk mund të ketë “Minischengen” ballkanik pa Kosovën.
Në përfundim të takimit dyditor në Serbi, pritet që të tre udhëheqësit të nënshkruajnë një marrëveshje, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një “Minischengen” ballkanik.
Presidenti serb, nënvizoi se ideja për të krijuar një treg të përbashkët në rajon është një “ide epokale” që mbështetet qoftë nga kryeministri Rama, por edhe nga Zaev.