I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka hedhur poshtë deklaratën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thuhej se ai është marrë vesh në një bisedë telefonike me Grenellin që ndihma nga SHBA-ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe SHBA- ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në “Twitter”.
Por, Këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Erzen Vraniqi sërish ka komentuar në “Facebook” duke shkruar se Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysmë-masë.
“Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se tweet-at e Ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysëm-masë. Por Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e mē të dobishme për Kosovën me propozimin e tij.”, shkruan ai.