Ministri francez i Kulturës, Frank Riester është infektuar nga coronavirusi. Lajmin e ka bërë të ditur një burim pranë dikasterit të tij, sipas të cilit për momentin 46-vjeçari ndihet mirë.
Riester, që së fundmi vizitoi Parlamentin e Francës, zbuloi se kishte qenë në kontakt me persona të infektuar, gjë që e detyroi t’i nënshtrohej testit, i cili rezultoi pozitiv.
Burimi që bëri të ditur lajmin saktësoi se ministri nuk është takuar me presidentin Emanuel Makron në ditët e fundit. Virusi, që tashmë ka tejkaluar çdo kufi, nuk ka kursyer as krerët e shteteve. Kështu, presidenti 71-vjeçar i Portugalisë deklaroi se ka anuluar të gjitha aktivitetet publike dhe do të qëndrojë në shtëpi për shkak të virusit.
Presidenti Marcelo Rebelo de Soza së fundmi priti një grup studentësh nga një shkollë që është mbyllur pas verifikimit të virusit tek një nxënës.
Megjithatë zyra e tij tha se presidenti nuk kishte shfaqur simptoma dhe se studenti i infektuar nuk ishte në grupin e të rinjve që vizitoi pallatin presidencial. “Ai u fut në vetëizolim për të dhënë një shembull të marrjes së masave parandaluese ndërsa, do të vazhdojë punën nga shtëpia”, thuhet në një komunikatë.