Një bombë e vendosur në një makinë, në një pikë kontrolli sigurie në kryeqytetin e Somalisë mëngjesin e së shtunës, ka shpërthyer duke vrarë të paktën 60 persona.
Numri i viktimave pritet të jetë më i lartë teksa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Ismail Mukhtar për Associated Press. Ngjarja e fundit është një nga sulmet më vdekjeprurëse në Mogadishu të kohëve të fundit.
Abdiqadir Abdirahman, drejtori i shërbimit të ambulancës, konfirmoi se 61 persona kanë vdekur dhe tha se më shumë se 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Kapitan Mohamed Hussein tha se shpërthimi kishte në shënjestër një pikë ku mblidhen taksa.
Mes të plagosurve ka pasur dhe fëmijë. Gjithashtu, mes tyre janë dhe disa studentë universiteti që ishin duke udhëtuar me autobus, tha Hussein.
Askush nuk ka marrë ende përgjegjësi për shpërthimin. Al-Shabab, një grup i njohur për lidhjet me Al-Kaedën ndërmerr shpesh sulme të tilla. Grupi ekstremist u dëbua nga Mogadishu disa vjet më parë, por vazhdon të godasë në zona të njohura si pika kontrolli dhe hotele përgjatë pjesës bregdetare të qytetit.
Al-Shabab, një ndër grupet më të sulmuara nga Shtetet e Bashkuara që kur presidenti Donald Trump erdhi në detyrë, kontrollon pjesën lindore dhe qendrore të Somalisë. Të ardhurat e tyre vijnë nga një sistem “taksimi”, të cilin ekspertët e përshkruajnë si zhvatje të bizneseve dhe udhëtarëve duke ju sjellë miliona dollarë në vit.