Prej 40 vitesh ata janë së bashku. Çifti Lusha vjen me një rrëfim të veçantë për Euronews Albania, ndërsa tregojnë historinë e tyre të punës, por dhe të dashurisë përgjatë katër dekadash. Ata punojnë si këpucarë dhe pasionin e tyre përpiqen ta përcjellin tek të rinjtë shqiptarë. Ata janë njohur në fabrikën e këpucëve ku punonin dhe që atëherë nuk janë ndarë nga njëri tjetri, dhe as nga këpucët.
“Ne jemi njohur të dy në fabrikën e këpucëve, punonim bashkë dhe deshëm njëri tjetrin dhe vazhduam krijuam familjen. Kemi dy vajza. Nuk e kam ndjerë ndonjëherë veten në siklet që të punoj me burrin. Jemi ndjerë shumë mirë me njëri-tjetrin edhe pse puna ka avaritë e veta”, tha Merita Lusha.
Dashamiri sot 62 vjeç, ka mbaruar shkollën e mesme profesionale për këpucari.
“Punova 20 vjet në fabrikën e këpucëve në repartin e prestarisë, në kushtet e ndërrimit të sistemit fabrika doli jashtë funksionit, u detyrova të emigroj në Greqi. Atje punova 19 vjet po në zanatin tim, prestar në fabrikat e këpucëve të Greqisë”, tha bashkëshorti.
Por, kriza ekonomike në shtetin fqinj, e bëri çiftin e këpucarëve të kthehej përsëri në Shqipëri ku edhe iu përkushtuan punishtes së tyre të vogël të këpucëve. Të dy ata i gjen gjithë ditën në punishte duke qenë në çdo orë në dispozicion të klientëve. Por a është zanati i këpucarit një zanat që siguron ende të ardhura si dikur?
“Është një zanat që siç themi ne nuk të lë pa bukë, nuk rrjedh po pikon. Me zor mban një familje. Aq është kapacitetit i këtij dyqani. Ky zanat është në humbje më duket mua, në zhdukje se shoh rininë sot që nuk i afrohet këtyre zanateve, që është një zanat shumë i mirë.
Dashi, siç e thërrasin të afërmit, na tregon se ky zanat ka edhe rrisqe të shumta shëndetësore.
“Puna jonë ka të bëjë më helme. Materialet, lëkura, mastiçi, gomat që të gjitha janë me helme. Këtu duhet të përdorësh.. ne na kanë pas dhënë qumësht përpara. Pinim gjysmë kile qumësht në ditë, si në fabrikë të këpucëve, si në Greqi ashtu edhe këtu e marr vetë qumështin kundër helmimit”, tha Dashamiri.
Por përkundër çdo vështirësie që ka zanati i këpucarit, Dashi thotë se nuk e ka imagjinuar ndonjëherë veten të ushtrojë ndonjë profesion tjetër.
“Çdo gjë ka një limit deri se kur mund të shkoj kjo punë. Unë besoj se këtu do të jem dhe me këtë zanat do të vdes, sepse nuk kam çfarë të bëj tjetër”.
E mesa duket, tek ky çift këpucarësh përveç pasionit për punën që ata bëjnë, do të jetojë gjatë edhe dashuria që ata kanë për njeri tjetrin.
“Me këtë zonjën kam 40 vjet që njihem, si në fabrikë në jetën profesionale, ashtu edhe në jetën bashkëshortore. Vetëm Zoti do të na ndajë ne”, theksoi ai, ndërsa puthi në faqe bashkëshorten e tij.