DJ ukrainase Olga Udovenko sfidoi realitetin e ri të imponuar nga koronavirusi, kur performoi muzikë mbrëmjen e 21 marsit, në një klub nate të boshatisur në qytetin e saj Kharkiv.
Klubi i njohur i qytetit, që mban emrin “Kultura e Tingullit”, ku Olga punon rregullisht, doli me idenë për të organizuar festa online, tek e cila njerëzit mund të marrin pjesë në distancë pa dalë nga shtëpitë e tyre dhe nga karantina.
Ajo e së shtunës në fakt ishte festa e dytë online që kur në Ukrainë hyri në fuqi bllokada, më 17 mars.
Olga, që luan një miks stilesh të ndryshme, deklaroi se eksperimenti rezultoi i suksesshëm pasi rreth 2 mijë persona nga gjithë Ukraina, por edhe Shtetet e Bashkuara, Italia dhe Franca u bashkuan me festën e parë online.
Ndërkohë, që festat e organizuara offline nuk tërheqin më shumë se 300 persona në një natë të vetme.
Sinkron Olga Udovenko, DJ, Ukrainë:
“Maksimumi 300 persona ndjekin festat tona dhe pista e vallëzimit zakonisht është e mbushur. Por herën e fundit thuajse 2 mijë persona ndoqën festën tonë online dhe ky është një ndryshim i madh. Ne zakonisht i reklamojmë festat tona 2 muaj përpara, ndërsa këtë herë organizuam gjithçka në një ditë dhe i mbaruam përgatitjet në disa orë. Kjo është fantastike”.
Festa e së shtunës, që nisi në 19 me orën lokale, u kthye në një maratonë muzikore dhe zgjati mbi 36 orë.
Sinkron Olga Udovenko, DJ, Ukrainë:
“Ishte një eksperiencë e re. Normalisht njerëzit vallëzojnë përpara një DJ-i dhe kontakti është direkt. Tani njerëzit po na shohin nga vende të ndryshme, vallëzojnë dhe ne e ndjejmë impaktin. Më duket sikur një festë po mbahet edhe në këto momente, por kjo është vetëm në kokën time, jo në realitet”.
Eduard Stoljarov dhe miqtë e tij të ngushtë vallëzuan nën ritmin e muzikës së Olgës, me festën që ishte projektuar në murin e një dhome. Eduardi tha se ndihej sikuj DJ-i po luante në shtëpinë e tij.
Sinkron Eduard Stolyarov, stilist:
“Mendoj se njerëzit duhet t’i provojnë festat online. Ata që nuk e kanë provuar dhe janë skeptikë duhet thjesht ta provojnë sepse është fantastike. Mua mu duk sikur DJ ishte në shtëpinë time dhe kjo më bëri të ndihesha afër me të”.
Deri tani, Ukraina ka raportuar 7 raste me koronavirus, përfshirë 3 që kanë rezultuar fatale.