Bashkë me lajmet shqetësuese për numrin në rritje të të prekurve me Covid-19 që në fillim njihej si coronavirus, çdo ditë mbërrijnë nga Italia qindra pasagjerë në aeroportin e Rinasit.
Pavarësisht interesimit të Euronews Albania për të filmuar masat e marra në aeroportin ndërkombëtar, nuk u lejuam të filmonim. Por, zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë njofton se ka angazhuar kontrolle mjekësore në pikat kufitare.
Ndryshe nga aeroportet e Italisë apo edhe të Shkupit, ku kontrolli kryhet përmes skanerave termikë, në Rinas si masë kontrolli është matja e temperaturës, pavarësisht se kontroll i temperaturës nuk jep diagnozën për Covid-19.
“Të kemi parasysh që t’i vendosim një diagnozë për koronavirus apo diçka tjetër, ne rastin konkret merret temperatura, simptoma të tjera shoqëruese që mund të ketë pasagjeri, dhe kryesisht, historia e udhëtimit për ne ka shumë rëndësi”, shprehet doktor, Lorenc Harshova.
Pyetur nga Euronews Albania, pasagjerët u shprehën se janë kontrolluar në pikat e nisjes në Itali, me përjashtim të njërit prej tyre. Edhe pse vizita ishte e ngjashme, problematika e evidentuar ishte prezenca e vetëm një mjeku në aeroportin e Rinasit.
“Na kontrollojnë po, na kontrolluan. […] ishte radhë e keqe, se ishte një person, ishte vetëm një mjek. Ishin dy avionë që erdhën”, shprehet një udhëtar.
“Në Itali ishte pak ndryshe, sepse ishim në radhë, dhe vetëm njerëzit që po vizitoheshin mund të kalonin. […] këtu s’po funksiononte sepse kishte shumë njerëz dhe ishte vetëm një mjek që po kryente vizitën”, tregon një udhëtar i huaj.
Z. Harshova konfirmoi për Euronews Albania se nuk ishin evidentuar raste me temperaturë të lartë në udhëtarët e mbërritur deri tani. Sipas burimeve mjekësore momentalisht ndodhen 6 persona të autorizuar për të kryer vizitën në Rinas.